Ditën e dytë dhe të fundit të ndalesës në Lindjen e Mesme, Donald Trump e ka fokusuar tek takimi me liderin e Autoritet Paletinez, Mahmoud Abbas, me shpresën se përballja mes dy udhëheqësve në Betlehem do të jetë, siç thotë vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë, “e frytshme dhe e dobishme”.

Në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, palestinezët kanë dalë nëpër rrugë për të protestuar ndaj vizitës së presidentit amerikan, që e ka shprehur hapur mbështetjen e tij për shtetin hebre.

Prej tre vjetësh tashmë, izraelitët dhe palestinezët nuk kanë mbajtur më bisedime direkte mes tyre dhe Trump vetë e pranon se kjo është një prej “marrevëshjeve më të vështira”. Por kam ndjesinë, shtoi ai, se në fund do t’ia dalim mbanë.

Më vonë, presidenti amerikan do të rikthehet në Jeruzalem për të vizutuar memorialin e Yad Yashemit e për të mbajtur një fjalim në muzeun e Izraelit.

Vizita dyditore e tij në vendin hebre dhe territoret palestineze përbën një pjesë të rëndësishme të turneut të parë jashtë kufijve që prej marrjes së çelësave të zyrës Ovale në muajin janar.

Trump e sheh veten si një njeri që i zgjidh gjërat dhe që ka personalitetin e duhur për të kapërcyer vështirësitë ku të tjerët janë tërhequr. Ideja e momentit është ajo e krijimit të një shteti sovran palestinez në krah të atij izraelit.

Por në realitet, qëndrimet e dy palëve vazhdojnë të mos kenë pika takimi, të ndara nga çështje aspak të lehta, siç është e ardhmja e Jeruzalemit lindor, fati i refugjatëve palestinezë dhe kufijtë e Palestinës së pavarur.

Udhëheqësit aktualë nga ana tjetër nuk kanë pikë besimi tek njëri-tjetri. Bregu Perëndimor, përfshirë Jeruzalemin lindor, është pushtuar nga Izraeli prej 50 vitesh. Disa prej anëtarëve më me influencë të qeverisë izraelite besojnë se ajo tokë u përket hebrenjve, sepse u është dhënë nga Zoti.