Trump, në telashe me partinë për “dashurinë” ndaj Rusisë

Presidenti i zgjedhur Donald Trump gjendet mes dëshirës për të përmirësuar raportet me Rusinë dhe republikanëve, që kërkojnë një reagim më të ashpër ndaj sulmit kibernetik, që sipas agjencive të Inteligjencës u krye nga rusët.

Të dielën, përmes gojës së shefit të tij të ardhshëm të stafit, Reince Priebus, Trump pranoi në heshtje raportin e inteligjencës dhe kjo sugjeron se hapësira e tij për manovrim po ngushtohet.

Më herët, Trump i ka mohuar shpesh akuzat se Rusia sulmoi dhe ndikoi te zgjedhjet, por pas raportit të Inteligjencës po përballet me thirrje në rritje që të reagojë fort ndaj Rusisë, jo vetëm diplomatikisht dhe ekonomikisht, por mbase edhe në mënyrë të fshehtë.

Analistët thonë se republikanët në Kongres mund të detyrojnë presidentin e ri, që të mos akordojë atë që udhëheqësi rus dëshiron më shumë: lehtësimin e shpejtë të sanksioneve ekonomike, që u vendosën ndaj Moskës pas aneksimit të Krimesë.

Disa senatorë republikanë, si Lindsey Graham apo John McCain kanë premtuar legjislacione me sanksione më të forta se ato aktuale ndaj Moskës. Pritet që edhe gjenerali James Mattis, i emëruari si Sekretar Mbrojtjeje, të kërkojë një vijë më të ashpër ndaj Rusisë, ndryshe nga ajo që Trump reklamoi gjatë fushatës.

Megjithatë, analistët thonë se është ende herët për të parashikuar raportet e ardhshme me Moskën dhe për këtë duhet pritur që administrata “Trump” të krijojë një strategji qasjeje ndaj ish-armikut të Luftës së Ftohtë, gjë për të cilën mund të duhen javë të tëra apo edhe muaj.

SHPËRNDAJE