Presidentit amerikan Donald Trump i kërkohet të japë prova që mbështesin pretendimin e tij se, paraardhësi i tij Barack Obama ka urdhëruar përgjimin e telefonit të tij gjatë fushatës zgjedhore presidenciale.

Senatori republikan Ben Sasse tha se komentet e Trumpit ishin serioze, ndaj dhe ai duhet të shpjegojë gjithçka mbi përgjimin e dyshuar, si dhe mënyrën sesi ai arriti të dilte në këtë konkluzion.

Presidenti republikan, gjithsesi, nuk ka dhënë asnjë detaj mbështetës për fjalët e thëna.

Ndërkohë, një zëdhënës i Obamës tha se ish-presidenti nuk ka urdhëruar kurrë asnjë përgjim të shtetasve amerikanë. Bazuar mbi ligjet amerikane, përgjimi mund të miratohet vetëm nëse ekziston një shkak i mundshëm për të besuar se i përgjuari është një agjent i një fuqie të huaj.

Trump, i cili është përballur me kritika të ashpra mbi ndikimin e rusëve në mbështetje të fushatës së tij presidenciale, e bëri këtë akuzë ditën e shtunë. “E tmerrshme! Sapo mësova se Obama më ka përgjuar në kullën ‘Trump’ përpara se unë të fitoja zgjedhjet. Gjithsesi asgjë nuk gjeti”.

Zëdhënësi i Obamës, Kevin Leëis tha se akuza ishte “thjesht e rreme”. “Një nga rregullat bazë të administratës Obama ishte se, asnjë zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nuk ka ndikuar kurrë në një hetim të pavarur të udhëhequr nga Departamenti i Drejtësisë”, tha ai.

Deklarata lë të hapur mundësinë se një hetim juridik mund të jetë duke u zhvilluar. Më herët, Ben Rhodes, i cili ka qenë këshilltar i politikës së jashtme i ish-presidentit Obama dhe hartuesi i fjalimeve të tij, adresoi gjithashtu pretendimet e Trumpit duke thënë se “asnjë president nuk mund të urdhërojë përgjime. Këto kufizime janë vendosur pikërisht për të mbrojtur popullin nga njerëz si ju”.