Presidenti amerikan, Donald Trump nuk do të marrë pjesë në darkën e shoqatës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Kjo është shenjë e qartë se ai vazhdon luftën kundër mediave ashtu si në çdo dalje publike.  

Nuk ka armëpushim në luftën mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe shtypit. “Nuk do të marr pjesë në darkën e shoqatës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë këtë vit”, ka shkruar në rrjetin social Tuitër ai duke iu uruar të gjithëve një “darkë të këndshme” por me ironi.
Lajmërimi i Trump vjen pasi Shtëpia e Bardhë përjashtoi disa gazetarë të mediave të rëndësishme amerikane të merrnin pjesë në konferencën për shtyp. Presidenti amerikan ka sulmuar rregullisht mediat duke thënë se raportojnë lajme false. Pavarësisht këtyre pretendimeve ai nuk e ka mbështetur fjalën e tij me fakte.
Të premten gjatë një fjalimi para konservatorëve Trump theksoi se lajmet false janë armiku i popullit.
Pas lajmit të presidentit amerikan, Blomberg dhe revista Nju Jorker kanë bërë të ditur se nuk do të zhvillojnë festën tradicionale pas ceremonisë së darkës. Ndërkohë, ka pasur edhe thirrje nga gazetarë të ndryshëm që eventi të bojkotohet.
Sipas “Nju Jork Tajm”, çdo president që prej vitit 1924 ka marrë pjesë në darkën e korrespondentëve të paktën një herë. Zakonisht ata mbanin një fjalim me zemër të hapur në eventin e përvitshëm. Ish-presidenti Barak Obama ka marrë pjesë në darkën tradicionale 8 herë. Më herët, Trump ka pasë marrë pjesë rregullisht në event. Madje në vitin 2011, Obama kishte thënë me shaka se Trump do e kthente Shtëpinë e Bardhë në një kazino nëse bëhej president.