Donald Trump parashikon të realizojë« shumë gjëra të mëdha» sapo të marrë zyrtarisht detyrën në Shtëpinë e Bardhë, ndër të cilat nënshkrimi i disa dekreteve presidenciale për të anuluar disa vendime të administratës Obama, bëri të ditur sot zëdhënësi i miliarderit republikan, duke shtuar se ai do të vazhdojë të përdorë rrjetin social tweeter.
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, i cili do të marrë zyrtarisht detyrën më 20 janar, pritet të nënshkruajë një sërë dekretesh presidenciale për « të shfuqizuar shumë masa ligjore dhe dispozita të miratuara nga kjo administratë gjatë tetë viteve dhe që kanë penguar rritjen ekonomike si dhe krijimin e vendeve të reja të punës», u shpreh Sean Spicer për televizionin ABC. « Nuk do të jetë një gjë. Do të jenë shumë gjëra të mëdha», shtoi ai.
Presidenti i ardhshëm, i cili pritet të kthehet sot në Nju Jork pas disa ditë pushimesh në Florida, nuk do të heqë dorë nga përdorimi aktiv dhe i shumëpërfolur i rrjetit social Twitter, mënyra e tij e preferuar e komunikimit, pasi të vendoset në Shtëpinë e Bardhë.
« Me gjithë respektin qe kam për ju, mendoj se kjo do t’i demoralizojë mediat tradicionale kur të shohin se ai ndiqet nga më tepër se 45 milionë persona në rrjetet sociale, se ai mund të ketë një bashkëbisedim direkt me amerikanët », theksoi Sean Spicer.