Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar ndaljen e pakufizuar të hyrjes së refugjatëve sirianë në Shtetet e Bashkuara dhe pezullimin e vizitave nga disa vende të tjera myslimane.

Zoti Trump mbrëmë vonë ka urdhëruar suspendimin e migrimit nga shtatë vende me popullatë shumicë myslimane për 90 ditë, derisa të implementohet procesi “ekstrem i shqyrtimit”.

Në urdhërat e tij nuk është specifikuar se cilat vende do të preken, por agjencitë AP dhe Reuters raportuan se në këto masa me gjasë do të përfshihen Irani, Iraku, Somalia, Sudani dhe Jemeni.

Zoti Trump, po ashtu, ka urdhëruar pezullimin katërmujor të programit amerikan për refugjatë për Irakun, Afganistanin dhe Pakistanin.

Ai e ka përcaktuar numrin prej 50 mijë refugjatëve nga e gjithë bota që Shtetet e Bashkuara do t’i pranojnë këtë vit.

Një përjashtim madhor për ndalesën e refugjatëve është bërë për të krishterët sirianë, për të cilët Trump tha se janë të shtypur në vendin e tyre.

“Po krijoj masa të reja të vërtetimit, që terroristët radikal islamikë të mbahen jashtë Shteteve të Bashkuara”, tha Trump derisa i ka paraqitur urdhërat e tij në Pentagon, dhe ka shtuar se “nuk i duam ata këtu”.

“Ne vetëm dëshirojmë që në vendin tonë t’i pranojmë ata që do ta mbështesin vendin tonë dhe do ta duan thellësisht popullin tonë”, tha Trump.