Turistët që arrijnë në Kodrën e Diellit hasin në gropa nëpër rrugë, kurse infrastruktura është në gjendje të mjerrueshme. Mungon ndriçimi, kurse ajo ekzistuese është e dëmtuar. Aty shfaqen qen endacak, kurse bagëtia kullotë gjithandej.

Kështu e përshkruan Tv Telma situatën në këtë qendër turistime. Sipas tyre, kjo pamje i zhgënjen turistët që ta vizitojnë sërish këtë qendër gjatë periudhës së verës.

Turistët e paktë të huaj që janë hasur thonë se natyra është e mrekullueshme, por qendra turistike nuk mirëmbahet, e as që investohet diçka. Një numër shtëpizash janë ndërtuar pa leje, ndërkaq kohët e fundit ka filluar ndërtimi i xhamisë, që gjithashtu thuhet se nuk ka leje ndërtimi. Askush nuk ndërmerr asgjë.

Përgjegjësinë për menaxhimin e Kodrës së Diellit e ka Elem Tours, që ka premtuar mbi 50 milionë euro investime, por jemi në vitin 2017 dhe asgjë nuk ka ndodhur. U fillua ndërtimi i bazenit të ujit për të prodhuar borë artificiale, por puna ka ngecur.

Edhe skilifti gjashtëulësesh që filloi të ndërtohet, po has në probleme të ndryshme ndërtuese dhe administrative.

Nga ana tjetër, nisma qytetare ”Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” thotë se kjo qendër turistike është lënë pas dore dhe askush nuk ndërmerr asgjë për ta shpëtuar. Ata thonë se çfardo plani që bëhet dhe fillon të realizohet, merr kahje tjetër, ose punët lihen në gjysmë. Kjo nismë kërkon që fillimisht të ndërtohet skilifti me gjashtë ulëse, për t’u shpëtuar sezona e radhës turistike dimëtore, si edhe të bëhet diçka për t’u riaktivizuar teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit./Tv Telma