Turqia i ka informuar Shtetet e Bashkuara se beson se mbështetësit e klerikut mysliman, Fethullah Gylen, me seli në SHBA, ishin përgjegjës për vrasjen e ambasadorit rus në Ankara.

Agjencia shtetërore turke, Anadolu, ka raportuar mbrëmë se ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, i ka thënë sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, gjatë një bisede telefonike se “Turqia dhe Rusia kanë dijeni se (organizata e Gulenit) ka dorë në sulm”, nga i cili u vra ambasadori rus, Andrei Karlov.

Turqia kishte kërkuar ekstradimin e klerikut Gylen, që jeton në ekzil në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara, lidhur me puçin e dështuar ushtarak kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në muajin korrik të këtij viti.

Ankaraja është e zemëruar pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë ka insistuar që të ketë dëshmi bindëse për fajësinë e zotit Gylen, para se të veprojë lidhur me kërkesën për ekstradim.

Prej se Shtetet e Bashkuara ishin të ngadalshme në përgjigjen lidhur me kërkesën turke për ekstradim, disa zyrtarë në Ankara, gjatë ditëve të fundit, kanë sugjeruar se Uashingtoni e ka mbështetur vrasjen e ambasadorit Karlov, duke shkaktuar kritikë të ashpër nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, John Kirby, tha se ky pretendim është “absolutisht i rrejshëm”. Ai foli edhe për bisedën telefonike Kerry – Cavusoglu.

“Sekretari në bisedën me ministrin e jashtëm e ka ngritë shqetësimin e tij për një retorikë që po vjen nga Turqia lidhur me involvimin ose mbështetjen amerikane, i heshtur ose në mënyrë tjetër, për këtë vrasje të papërshkrueshme, për shkak të pranisë së zotit Gylen në Shtetet e Bashkuara. Ky është pretendim absurd dhe absolutisht i rrejshëm. Nuk ka bazë të vërtetë në të dhe sekretari e bëri shumë të qartë në diskutimin e tij me ministrin e jashtëm”, tha John Kirby.

Mëtutje, zoti Kirby tha se “ne duhet të lejojmë që hetuesit ta bëjnë punën e tyre dhe ne duhet të lejojmë që faktet dhe dëshmitë t’i çojnë hetimet atje ku duhet, para se të kërcejmë në konkludime”, tha Kirby.

Raportohet se sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i ka ofruar ndihmë amerikane Turqisë në hetimin e vrasjes. Megjithatë, Ankaraja tha se do të zhvillojë hetime të përbashkëta me autoritetet ruse, ndërsa Moska tashmë i ka dërguar afro 20 hetues në Turqi.

Fethullah Gylen, një person i vetmuar që predikon dialog ndërfetar, ndërsa mbështetësit dhe organizatat e të cilit janë shumë të njohura për sponzorizimin e shkollave dhe çështjeve humanitare, e ka dënuar atë që ai e ka cilësuar si “akt i tmerrshëm i terrorit”, nga i cili u vra Andrei Karlov.