Një ditë pas sulmit të përgjakshëm në Stamboll për të cilën mori përgjegjësinë organizata terroriste ISIS, ushtria ruse dhe ajo turke në operacione të ndara kanë goditur me aeroplanë luftarakë mbi 100 pozicione të këtyre terroristëve të ISIS në Siri.
Mediat turke , duke cituar deklaratën e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shkruajnë se avionët luftarakë turq kanë bombarduar tetë pozicione të ISIS-it, ndërsa tanket dhe artileritë e rënda kanë goditur 103 pozicione tjera në afërsi të qytetit Al Bab në veri të Sirisë. Ndërkaq, aeroplanët rusë kanë bombarduar pozicionet e ISIS-it në pjesën jugperëndimore të qytetit Al Bab në Dair Kak. Operacioni i ushtrisë turke “Mbrojtja e Eufratit” kishte filluar para katër muajve, ndërsa qëllimi i ushtrisë turke është që t’i zmbrapsin terroristët që janë pozicionuar përgjatë kufirit Siri-Turqi si dhe ndaljen e përparimit të forcave kurdë siriane. Grupi terrorist ISIS mori të sot përgjegjësinë për sulmin në klubin e natës në Stamboll gjatë festimit të ndërrimit të viteve që u mori jetën 39 personave. Konfirmimi është bërë përmes një deklarate të publikuar në websitin e grupit terrorist ku shkruhet se një ushtar “hero i Kalifatit” ka goditur një nga diskot më të famshme të vendit ku të krishterët festojnë Vitin e Ri. Në deklaratë ISIS akuzon Turqinë se ka derdhur gjakun e myslimanëve në “sulmet ajrore dhe me mortaja në Siri”. Mijëra forca policie janë vënë në ndjekje të tij ndërsa mësohet se ai ka zbrasur mbi 180 plumba në diskon e mbushur plot me njerëz. Deri tani 8 persona janë arrestuar si persona të lidhur me krimin. Autoritetet dyshojnë se sulmuesi ka mbërritur në diskon Reina me një taksi dhe më paska hyrë me shpejtësi në lokal duke qëlluar mbi turmën. Një ditë më parë kryeministri Yildirim tha se policia kishte gjetur armën e krimit e cila mund të ndihmojë në kapjen e autorit. Shtetasit e huaj që humbën jetën në sulmin e armatosur llogariten të jenë 24, gati dy të tretat e viktimave të sulmit, njofton agjencia shtetërore e lajmeve të Turqisë.