Turqia parashtroi sot kërkesën për mbështetjen ajrore të koalicionit ndërkombëtar të kryesuar nga SHBA-ja për t’i ardhur në ndihmë forcave të Ankarasë për të çliruar qytetin Al-Bab, bastion i grupit të Shtetit Islamik në veri të Sirisë.

“Për sa i takon operacioneve tona në Al-Bab koalicioni ndërkombëtar ka për detyrë të marrë mbi vete përgjegjësinë e tij, veçanërisht në planin e mbështetjes ajrore”, deklaroi zëdhënësi i presidentit Recep Tayyip Erdogan, Ibrahim Kalin.

“Kushtet meteorologjike shpeshherë mund të shkaktojnë vonesa.Por mungesa e mbështetjes ajrore kur nuk ka arsye të vlefshme është e papranueshme”, shtoi ai gjatë një konference shtypi, përcjell Atsh.

Rebelë sirianë të mbështetur nga ushtria turke po përpiqen prej javësh të çlirojnë nga ISIS-i bastionin e tij sirian të Al-Bab-it, ku forcat e Ankarasë pësuan javën e fundit humbje të mëdha.