Sulmi që goditi Stambollin në orët e para të vitit të ri përcolli një mesazh të qartë; edhe 2017-ta do të jetë tepër i vështirë për Turqinë e shënjestruar nga terrorizmi.

Breshëria e plumbave që ktheu në tragjedi një natë festive do të kumbojë për një kohë të gjatë në veshet e turqve….2016-ta kishte hedhur themelet e tmerrshme e të përgjakshme të kaosit terrorist për qytetarët e këtij vendi, me një valë sulmesh që u shtri nga pjesa europiane e Stambollit e deri në kufirin jugor të Turqisë me Sirinë.

Nga sulmi në aeroportin kryesor të Stambollit, tek masakra në rrugët e mbushura me turistë, e vrasja e ambasadorit rus në Ankara 12 ditë më parë; me një përshkallezim të tille sulmesh brenda pak muajve në 2016-tën, terrori në klubin e natës “Reina”, u perceptua gati si i paevitueshëm.

Në një vit, Turqia u shndërrua nga një destinacion popullor turistik në një vend tepër të pasigurtë, një reputacion ky që asnjë shtet nuk do të lakmonte. Kurdët dhe Islami radikal janë dy degët kryesore të terrorizmit që po shënjestron Turqinë, e megjithatë një rol të rëndësishëm ka pasur edhe presidenti gjithnjë e më autokratik Rexhep Taip Erdogan, sipas amerikanes CNN.

4 vjet më parë lideri turk i dha fund klonfliktit të përgjakshem me kurdët që kishte shkaktuar mijëra viktima, por lufta në Siri do t’i komplikonte gjërat.

Shtetet e Bashkuara arritën një marrëveshje me Turqinë për të përdorur bazën e saj në Inxhirllek pranë kufirit me Sirinë për të shënjestruar ISIS-in. Ankaraja nga ana e saj pranoi gjithashtu të godiste terroristët, por fokusi kryesor nuk ishte ISIS, por armiqtë e vjetër kurdë të cilëve u druheshin se po fitonin terren brenda Sirisë. Kjo nxiti një valë të re të sulmeve nga militantet e PKK-së.

Nga ana tjetër hapja e kufijve e ktheu Turqinë në një vend tranziti të militantëve të ISIS-it, në rrugën e tyre drejt luftës duke e bërë tepër të ekspozuar ndaj terrorizmit. Marrëveshja e Erdoganit me ish armikun e tij, rusin Vladimir Putin në Siri shihet si një tjetër kontribues për vazhdimin e valës së terrorit dhe këtë e tregoi më së miri vrasja e ambasadorit rus në Ankara.