Turqia ka zgjatur dorën e ndihmës për viktimat nga ngjarjet e dhunshme në Mianmar dhe për muslimanët e Arakanit që janë strehuar në Bangladesh, pasi janë larguar nga vendi i tyre. Janë dërguar tonelata ndihma ushqimore edhe për muslimanët që ndodhen në Mianmar edhe për ato që qëndrojnë në kampet në Bangladesh, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndihmat e Turqisë për muslimanët e Arakanit krahas organizatave të shoqërisë civile dërgohen edhe nëpërmjet institucioneve si Gjysmëhëna e Kuqe Turke, Kryesisë së Agjencisë për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkombëtar (TIKA) dhe kryesisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Institucionet turke të ndihmës të cilat i kanë dhënë përparësi ndihmës ushqimore që është nevoja më themelore dhe më emergjente, kanë nisur shpërndarjen e ndihmave për familjet e prekura nga ngjarjet e dhunshme në Mianmar dhe për muslimanët e Arakanit që janë strehuar në Bangladesh pasi janë larguar nga vendi i tyre.

TIKA e cila ka kryer përgatitjet e saj për ndihma ndaj muslimanëve në Arakan ka dërguar 1000 tonë ndihma humanitare për muslimanët e Arakanit në vend, pas bisedës telefonike që Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, kreu me ministren e Jashtme dhe përgjegjësen për presidencën e Mianmarit, Aung San Suu Kyi.

Koordinatori i TIKA-s në Bangladesh, Ahmet Refik Çetinkaya, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se ato kanë nisur menjëherë shpërndarjen e ndihmave pas daljes së lejeve të nevojshme nga autoritetet e Mianmarit. “Punonjësit tanë me detyrë në zyrën e Mianmarit kanë dërguar produktet e ndihmave në rajonin Arakan”, është shprehur Çetinkaya, duke shtuar se pjesa e parë e ndihmave janë siguruar me mundësi lokale, dhe se janë duke kërkuar mundësi të ndryshme me qëllim që shpërndarja e ndihmave të kryhet me helikopter.

Pasi ka bërë të ditur se nuk lejohet hyrja e helikopterëve civilë për shkak se vazhdojnë operacionet e ushtrisë së Mianamrit në rajon, Çetinkaya tha se “Përpiqemi të ndihmojmë refugjatët me lejet e marra nga qeveria e Bangladeshit dhe në bashkëpunim me to.”

Në etapën e parë 50 tonë ndihma në kampin në Bangladesh

Më tej Çetinkaya, është shprehur se me rastin e vizitës në kampin e refugjatëve Kutupalong të Emine Erdoğan, bashkëshortes së Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministres për Familjen dhe Politikën Sociale, Fatma Betül Sayan Kaya, kanë përgatitur 55 tonë ndihma ushqimore në etapën e parë.

Karahas ushqimeve si vaj, oriz, sheqer, Çetinkaya tha se kanë përgatitur pako me lodra për ‘tia shpërndarë fëmijëve në kampe ku dhe një pjesë e tyre janë dorëzuar dhe pjesa tjetër e mbetur do të dërgohet nëpër kapme brenda disa ditëve. “Përpiqemi që shpërndarjen ta kryejmë në një mënyrë sistematike me qeverinë e Bangladeshit”, ka shtuar më tej Çetinkaya.

Duke dhënë informacionin se TIKA gjithashtu ka dhe një paketë projekti me një vlerë 2 milionë dollarë për Bangladeshin, Çetinkaya, është shprehur: “Në këtë kuadër jo vetëm për muslimanët e Arakanit, por bëhet fjalë edhe për ndihmat humanitare për viktimat që preken shpeshherë nga përmbytjet në Bangladesh. Nga kampet kanë ardhur disa kërkesa të cilat janë në lidhje me nevojat për shkolla dhe për ambulancat shëndetësore. Kemi planifikuar ndërtimin e tyre, ku dhe në të njëjtën kohë do të vazhdojmë edhe ndihmat tona humanitare.”

Gjysmëhëna e Kuqe Turke ndihmë 2.5 milionë dollarë

Kryetari i delegacionit të Gjysmëhënës së Kuqe Turke në Bangladesh, Bora Tümer, i cili është një tjetër institucion që ofron ndihma për muslimanët e Arakanit, ka theksuar se deri më sot si Gjysmëhënë e Kuqe në Bangladesh kanë kryer një ndihmë me 2.5 milionë dollarë dhe se do ti vazhdojnë edhe më tej këto ndihma.

Në një deklaratë për gazetarin e AA-së, Tümer, tha se kanë shpërndarë 2 mijë kuti me ndihma ushqimore vetëm në ditën që Emine Erdoğan, bashkëshortja e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministrja për Familjen dhe Politikën Sociale, Fatma Betül Sayan Kaya vizituan kampin e refugjatëve Kutupalong në afërsi të qytetit Cox’s Bazar, ku qëndrojnë muslimanët nga Arakani.

“Çdo pako me ndihma është planifikuar që të përballojë për dy javë nevojat e një familjeje. Edhe javën e kaluar këtu therëm kurbane, ku kemi shpërndarë mishin e kurbaneve për 22 mijë familje”, është shprehur Tümer.

Ndër të tjera Tümer, ka shtuar “Ne ndodhemi këtu që prej vitit 2012 dhe kryejmë vazhdimisht ndihma. Ne vazhdojmë ndihmat tona edhe për muslimanët e Arakanit, por edhe për popullin e Bangladeshit.”

AFAD i gatshëm të ndajë përvojat e tij

Kryetari i AFAD, Mehmet Güllüoğlu, është shprehur se janë të gatshëm të ndajë përvojat që AFAD ka fituar në punimet e kryera për refugjatë sirianë të strehuar në Turqi. Ai pasi ka bërë të ditur se janë një organizatë që nuk kanë zyra jashtë vendit sikurse TIKA dhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke (Kızılay), ka theksuar se “Ne si AFAD jemi të gatshëm të japin ndihmën tonë për qeverinë e Bangladeshit kryesisht në lidhje me përvojën tonë për emigrantët.”

Ndër të tjera duke rikujtuar se ai është edhe ish-drejtor i përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Güllüoğlu ka theksuar se në këtë kuptim mund të intensifikohen përpjekjet për të kontribuar si organizata ndërkombëtare dhe brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara.