BDI dhe VMRO DPMNE në programet e tyre zgjedhore kanë përfshirë disa projekte identike duke pretenduar para votuesve se janë ide të tyre. Një ndër projektet që BDI parashikon për mandatin 2016-2020 është Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, projekt që ishte paraparë edhe në mandatin e kaluar. Ky investim gjendet edhe në programin e VMRO-DPMNE-së, por për dallim nga BDI e cila e ka përshkruar në mënyrë sipërfaqësore, VMRO-DPMNE shpjegon koston e projektit dhe kapacitetin. Por projekti dallon sa i përket përfundimit të punimeve. Në programin e BDI thuhet se projekti do të përfundoj në vitin 2017 ndërsa në atë të VMRO-së, në dhjetor të vitit 2018. “Deri në fund të vitit 2017 ndërtesa e paraparë për teatër dhe bibliotekë duhet të përfundojë tërësisht”, prononcohen nga BDI. Projekt i ngjashëm edhe ai për Zonën e lirë ekonomike në Tetovë. Edhe në këtë rast dy partitë kanë prezantuar shifra të ndryshme sa i përket kostos dhe punësimeve që parashikohen. Sipas BDI-së do të punësohen nga 2 500-3 000 të punësuar, ndërsa sipas VMRO-DPMNE vetëm 2 500. Më interesant është fakti që dyja partitë flasin për të njëjtin investitorë, por për shumë të ndryshme investimi. Sipas BDI-së “Lear Corporation“ nga SHBA në këtë zonë do të investojë 18 milion euro, ndërsa sipas VMRO-së e njëjta kompani do të investojë 15 milion euro. Brendësia e projekteve në disa pjesë i përngjan kopjimit. Premtimet e BDI-së dhe VMRO-së për investime janë identike për shumë vendbanime që nga komuna e Likovës e deri në Strugë. Në programet e dyja partive ka edhe pika tjera të përbashkëta, si për shembull ndërtimi i hekurudhës Kërçovë-Lin, rikonstruimi i hekurudhës që lidh pjesën perëndimore të Maqedonisë me Shkupin, gjegjësisht Korridori 8. BDI në programin e saj parashikon edhe ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, por një gjë të tillë e premton edhe VMRO-DPMNE-ja në programin e saj.

http://https://www.youtube.com/watch?v=CpLlAMw1lJ8

Adrian Kerimi -Alsat M