“U pengua plani rus për vrasjen e Millo Gjukanoviqit”

Një prokuror special që po heton tentimin e muajit të kaluar për të dëmtuar procesin zgjedhor në Mal të Zi ka thënë të dielën se një grup i “nacionalistëve rusë” kishin planifikuar vrasjen e kryeministrit Milo Gjukanoviq në mënyrë që një parti tjetër opozitare të vijë në pushtet.

Mali i Zi ka qenë e përfshirë nga teori konspirative që nga zgjedhjet e 19 tetorit kur autoritetet atje arrestuan 20 shtetas serbë në kufi me Serbinë, të akuzuar për planifikim të sulmeve të armatosura kundër institucioneve shtetërore, raporton Reuters.

Partitë opozitare kanë thënë se puçi i dyshuar është fabrikuar dhe kanë akuzuar Gjukanoviqin se po i shfrytëzon shërbimet e sigurisë për të ndihmuar vazhdimin e dominimit të tij gjysmë shekullor mbi Malin e Zi.

Para votimeve, Gjukanoviq tha se Rusia po e financonte opozitën në mënyrë që të çorientonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Ndërkaq partitë opozitare, shumë prej tyre edhe përkrahëse të NATO-s, e kanë mohuar këtë.

Asnjë prej opozitarëve nuk ka qenë në dispozicion për koment.

“Organizatorët e këtij grupi kriminal ishin nacionalistë nga Rusia të cilët e kishin parë se qeveria në Mal të Zi, e udhëhequr nga Millo Gjukanoviq, nuk mund të ndryshohet me zgjedhje dhe se ajo duhet rrëzuar me forcë”, ka thënë Milivoje Katnic, prokuror special për krim të organizuar, transmeton Koha.net.

Qëllimi ishte vrasja e kryeministrit dhe ndihma ndaj një partie opozitare për të marrë parlamentin, ka thënë Kantic. Ai nuk ka përmendur emrin e partisë së dyshuar.

“Autoritetet shtetërore kanë zbuluar se një grup kriminal është formuar në territoret e Malit të Zi, Serbisë dhe Rusisë me qëllimin për të kryer një vepër terroriste”, ka shtuar ai, transmeton Koha.net.

Një person, që ishte i trajnuar për gjuajtje në distancë, është angazhuar për të kryer vrasjen, ka theksuar më tej Katnic.

Sipas tij, hetimet janë kryer në bashkëpunim edhe me autoritetet serbe. Edhe Serbia ka ndaluar disa të dyshuar për ndërlidhje me grupin e arrestuar në Mal të Zi.