Qytetari nga Prishtina Petrit Bylykbashi thotë se ka rezultuar pozitiv në coronavirus për herë të dytë.

Bylykbashi për RTV Dukagjinin thotë se për dallim nga hera e parë tashmë edhe simptomat i ka më të forta.

Ai thotë se është takuar me shumë persona nga fakti se kishte kaluar COVID-19 dhe më nuk do të infektohet.

Prishtinasi thotë se ka bërë edhe një rëntgen të mushkërive dhe ka parë disa hije që dyshohet se janë pasojë e infeksionit të parë me coronavirus.

“Mund të shtrihem përsëri në Klinikën Infektive për të vijuar me procedurat tjera pasi jam rast pak më i veçantë. Më kanë rekomanduar të shtrihem në Klinikën Infektive por u kam kërkuar që edhe sot të pushojë në shtëpinë time. Do të shohim tutje si do të veprohet”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Bylykbashi për fund ka një mesazh ndaj të gjithë atyre që mendojnë se coronavirusi është konspiracion global.

“Më vjen keq që ka njerëz që bien në mendime të tilla. Uroj që asnjëri nga ta të mos preket por të kisha mundësinë t’i lë 10 minuta në trupin tim se çfarë po përjetoj ndryshe kishin menduar e ndryshe kishin folur”, tha ndër të tjera Petrit Bylykbashi.