Botuar nga UBT, të martën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, është promovuar libri i prof. dr. Bajram Kosumit “Zhanret e gazetarisë”. Autori i librit, Kosumi, pasi ka dëgjuar referencat Milazim Krasniqit, Safet Zejnullahut, Besim Abazit, Osman Gashit dhe përshtypjet e tre studentëve për ligjëratat e tij, ka thënë se për këtë libër ka punuar plot 8 vjet, i frymëzuar dhe i nxitur nga studentët e tri universiteteve, ku ai ka punuar si ligjërues: UP, UBT dhe UT.

“Tetë vjet, pyetjet, interesimi dhe shikimet e studentëve në UP, UBT dhe UT, më kanë motivuar për ta shkruar këtë libër”, tha Kosumi, sipas të cilit pa studentët nuk do të ekzistonte as ky libër. Kosumi ka vërejtur se “në institucionet e larta të arsimit në Kosovë, në përgjithësi mungon fryma akademike, debatet dhe diskutimet mes profesorëve dhe studentëve.

Prandaj, ky libër është shkruar së bashku me studentët dhe për studentët, për të ngritur nivelin akademik në fushën e gazetarisë në një shkallë më të lartë”, është shprehur ai.

Referuesi i librit, Milazim Krasniqi, ka çmuar lart kontributin e autorit, duke e cilësuar librin si shumë të nevojshëm, ngase sipas tij, sjellë shembuj dhe dije të aplikueshme në kontekstin aktual të gazetarisë shqipe.

“Është detyra jonë që studentëve t’ju ofrojmë libra origjinalë dhe cilësorë në gjuhën shqipe, në pajtim me programin e studimeve”,shtoi ai.

Krasniqi konsideron se promovimi i këtij libri është momenti ideal për të reflektuar, jo vetëm për pengesat, por edhe për mundësitë që janë në dispozicion të mësimdhënësve, që ta përcjellin dijen dhe përvojën e tyre tek studentët”.

Duke përmbledhur dhe elaboruar elementet kryesore, që e përbëjnë librin “Zhanret e gazetarisë”, profesori Krasniqi tha se, sa i përket strukturimit, libri është shkruar në bazë të kritereve rigoroze akademike. Ai falënderoi UBT-në për kontributin e dhënë në botimin e këtij libri, si “pasuri e shtuar për secilin student që studion në fushën e gazetarisë”.

Profesori i UBT-së, Safet Zejnullahu, ka thënë se UBT në vazhdimësi ka krijuar kushte pune: infrastrukturë, studio konkretizimi, mundësi për punë praktike në mediat e UBT-së dhe mediat partnere, ka angazhuar mësimdhënës profesionistë nga Kosova dhe jashtë saj dhe – më kryesorja – ka siguruar literaturë të mjaftueshme dhe bashkëkohore për studentët.

“Në këtë vazhdë, libri i prof.dr. Bajram Kosumit “Zhanret e gazetarisë”, më i riu – por edhe më i kompletuari në këtë fushë – është një kontribut shtesë, një vlerë e pakrahasueshme, një ndihmesë e madhe për studentët e UBT-së, tashmë të të dy niveleve – ata të studimeve themelore, por edhe ata të nivelit master”, theksoi Zejnullahu, me konstatimin se edhe ky libër është dëshmi se UBT kujdeset vazhdimisht për publikimin e librave të profesorëve të angazhuar në këtë institucion.

Referuesi tjetër, Besim Abazi, tha se në libër trajtohen shembuj se si duhet të shkruhet, mbi të gjitha, se si nuk duhet të shkruhet.

“Ne u përpoqëm që një libri kaq të nevojshëm, t’i shtojmë shembuj praktikë, në mënyrë që të bëhen sa më të kapshëm për studentët”, theksoi Abazi.

Për kontributin e autorit dhe rëndësinë e librit folën edhe studentët dhe ish-studentët e Kosumit, Blerta Blakaj, Samir Shala etj. Ata thanë se ndihen me fat që kanë pasur mundësinë të dëgjojnë ligjëratat dhe të marrin njohuri nga profesori Kosumi. Libri ka gjithsej 412 faqe dhe është i ndarë në pesë kapituj.

Kosumi është po ashtu autor i librave: “Tipologji dhe zhanër’, “Koncept për subpolitikën”; “Fjalor i Barbarëve”,”Koncept për mendimin e ri politik”, “Lirika e Fishtës”, “Një vit vendimtar”, “Letërsia nga burgu” dhe “Fishta dhe tradita letrare shqiptare”.