Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, është larguar nga vendi për një vizitë pune në Egjipt pavarësisht situatës delikate dhe pasigurisë së thellë politike në të cilën gjendet vendi. Profesorët universitar vlerësojnë se me hapi i tillë i Ivanovit përbën shkelje të Kushtetutës meqë për momentin nuk është zgjedhur kryetari i Kuvendit i cili sipas Kushtetutës zëvendëson shefin e shtetit në mungesë të tij. Trajko Veljanovski aktualisht është kryetar i parlamentit në largim.

Nga kabineti i Ivanovit informuan se presidenti do të qëndrojë në Egjipt ku do të merr pjesë në një forum të nivelit të lartë me organizim të bibliotekës së Aleksandrisë, dhe të qendrës ndërkombëtare Nizami Ganxhabi, që mbahet në Kairo. Atje Ivanovi do të mbajë fjalim në sesionin hyrës të forumit i emëruar si “Siguria Demokratike në kohë të ekstremizmit dhe dhunës”. Ndërsa është planifikuar të takohet edhe me presidentin e Egjiptit Abdel Fatah El Sisi. Ivanov shkoi atje një ditë pasi VMRO-DPMNE njoftoi se nuk do të negociojë me BDI për formim të qeverisë. Mbetet dilema se çfarë rëndësie ka kjo vizitë në Egjipt, posaçërisht kur vendi gjendet në një situatë politike turbulente./Alsat-M