Shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA ka dënuar Kombëtaren e Anglisë për tri shkelje në ndeshjen gjysmëfinale ndaj Danimarkës, raporton Telegrafi.

Organi më i lartë i futbollit në Evropë, ka vendosur të dënojë Federatën e Futbollit të Anglisë me një gjobë financiare prej 25 mijë funteve.

FA ishte akuzuar për tri shkelje pas ndeshjes gjysmëfinale me Danimarkën, ku Anglia fitoi me rezultat 2-1 pas vazhdimeve.

Një lazer tregues shkëlqeu në fytyrën e portierit danez Kasper Schmeichel në momentin që Harry Kane po e godiste penalltinë dhe kjo është një shkelje sipas UEFA-s.

Dy arsyet tjera për këtë dënim janë tifozët anglezë, të cilët fishkëllyen himnin danez si dhe ndezën fishekzjarre në ndeshjen gjysmëfinale në Wembley.

Gjithsesi ky po shihet si një dënim i ulët nga UEFA për Federatën e Futbollit të Anglisë.

Kombëtarja angleze të dielën do të luaj në ndeshjen finale të Euro 2020, ku në Wembley do të përballet me Italinë.