25 maji nuk është më afati i fundit që Federatat e Futbollit kanë për të dorëzuar në UEFA, kalendarin dhe datat e reja për rifillimin e sezonit futbollistik dhe mënyrën sesi do ta çojnë deri në fund atë. Sipas “SportMediaset”, Federatat do të duhet të komunikojnë nëse dhe me çfarë formati do ta përmbyllin sezonin. Plani i tyre do dorëzohet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, më 17 qershor, jo me 25 maj, sikurse ishte menduar më parë. Kjo është thënë nga burime të vetë organit më të lartë të futbollit në Europë.

Ky vendim mund të jetë marrë prej e uljes së numrit të të infektuarve me Covid-19 dhe kur mundësitë për të rifilluar kampionatet rriten. Në pesë ligat kryesore në Europë ka përfunduar sezonin para kohe vetëm Franca, ndërkohë që ka rifilluar Bundesliga dhe muajin e ardhshëm të njëjtin fat mund ta kenë edhe Serie A, La Liga dhe Premier League. Mesa duket shumë shpejt futbolli do t’i rikthehet normalitetit.