Shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA, pritet t’i lejojë tifozët që ndeshja e Superkuopës së Evropës që zhvillohet më 24 shtator në Budapest të Hungarisë të zhvillohet me 30 për qind të publikut në tribuna, shkruan zeri.info, përcjell Albinfo.ch.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka njoftuar se shtëpia e futbollit evropian po planifikon t’i rikthejë shikuesit në tribuna në ndeshjen mes Bayern Munichut dhe Sevillës.

Asambleja Gjenerale e ECA-s ka njoftuar se në këtë ndeshje do të lejohet 30 për qind e publikut.

“Gjashtë muaj më parë gjithçka ishte ndalur, por tash jemi këtu. Duhet të jemi optimistë, futbolli është i fortë. Superkupa në Budapest do të jetë një pilot-test, i cili mund të na ndihmojë që ta kuptojmë se çka mund të bëjmë”, ka deklaruar presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.

Në këtë finale, Bayern Munich vjen si fitues i Ligës së Kampionëve, kurse Sevilla si skuadër që e ka fituar Ligën e Evropës.