Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka njoftuar se 18 tanke “Leopard” dhe tri të tjera nga Portugalia do të arrijnë në Ukrainë gjatë muajit mars së bashku me ushtarët e stërvitur ukrainas.

Ai këtë njoftim e ka bërë në takimin e ministrave të Mbrojtjes së BE-së, që u mbaj në Suedi për të diskutuar për mënyrën e shpërndarjes së armatimit për Ukrainën.

Ndërkaq, Oleksii Reznikov, ministri ukrainas i Mbrojtjes, u ka bërë thirrje homologëve të tij evropianë që të ofrojnë më shumë armë në luftën e shtetit të tij kundër Rusisë.

Ai ka thënë se prioritet i Ukrainës janë sistemi ajror i mbrojtjes dhe armatimi.

Ministri suedez, Pal Jonson, i ka bërë thirrje Evropës që të prodhojë sa më shumë armatim.

Ai ka arsyetuar qëndrimin e tij se e vetmja mënyrë që Ukraina të vazhdojë luftën është armatimi dhe për këtë arsye, Evropa duhet ta përshpejtojë prodhimin.