Pas më shumë se një viti përballje me pandeminë e Covid-19, qyteti i Ulqinit është rikthyer këtë sezon me gjallërinë dhe ofertën e pasur turistike.
Hapja e kufijve si dhe situata e qëndrueshme epidemiologjike ka bërë që ky sezon të rikthehet në nivelin e vitit 2019.

Megjithatë, kërkesa e turistëve nuk është më ajo tradicionale, por ka karakteristika të reja, siç konfirmojnë edhe pronarët e hoteleve.

“Turistët ndryshojnë, nuk është më ajo klasikja si dikur kur qëndronin 7-10 ditë. Fundjavave jemi të mbushur pothuajse me të gjitha kapacitet, ndërsa gjatë javës jo edhe shumë. Besojmë se nga kjo fundjavë e në vazhdim të muajit do të kemi mbi 90-100 të kapacitetit”, u shpreh Edmond Paloka për Euronews.

Vizitorët në Ulqin janë nga vende të ndryshme evropiane, por kryesorë mbeten pushuesit nga Kosova dhe rajoni.

“Nga java e kaluar kemi ndryshime, kemi fituar fluturimet nga Franca dhe Polonia. Mirëpo më së shumti kemi turistë nga Kosova dhe rajoni”, tha ai më tej.

Çmimet e ofertave variojnë në plazhin e Ulqinit sipas standardit të hoteleve dhe kërkesës së pushuesve.

“Nga java e kaluar çmimi në hotel është 75 euro për një person, ndërsa në vila çmimi është 70 euro për person”, tregoi më tej biznesmeni.

Shumica e pushuesve shprehen se vijnë në Ulqin për vite me radhë, ndërsa akomodimin zgjedhin ta bëjnë pikërisht në hotele, të cilat i plotësojnë të gjitha nevojat e tyre.

Në Mal të Zi të gjithë turistëve u mundësohet testimi me PCR falas, ndërsa nëse ndodh që të infektohen me Covid-19 gjatë qëndrimit, ata do të marrin të gjitha trajtimet mjekësore si çdo shtetas i Malit të Zi.