Rreth një mijë absolventë të gjeneratës 2016/2017, nga programe të ndyshme studimore të të gjithë fakulteteve të Universitetit të Tetovës, sot e festuan mbarimin e studimeve të tyre. Me këtë rast, Universiteti i Tetovës, në sheshin e Rektoratit, organizoi ceremoninë solemne të hedhjes së kapelave, manifestim ky që shënon një nga ngjarjet më mbresëlënëse në veprimtarinë arsimore dhe shkencore të UT-së. Apsolventët, së bashku me prindërit, familjarët, profesorët, udhëheqësinë e universitetit, kolegët dhe miqtë e tyre, pas rrugëtimit disa vjecarë të tyre, sot e festuan përfundimin e studimeve, duke e përmbushur me sukses ëndrrën e tyre për arsimim universitar.

UT STUDENTE (2)

Ceremoninë e shpalli të hapur Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Arbër Çeliku.

,,Është një nder dhe privilegj i veçantë për mua, që ta shpall të hapur ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2016/2017, studentëve të mrekullueshëm të Universitetit të Tetovës, të cilët na e zbukurojnë këtë ditë të veçantë për të gjithë ne. Të dashur apsolventë, kështu siç ju shoh sot, të lumtur e të buzëqeshur, solemnë dhe me prindërit e familjarët përskaj, në kujtesën time po shfaqen në retrospektivë sekuencat filmike të së shkuarës time si student i këtij Universiteti, të cilat sa janë të këndshme aq janë të dhimbshme.
UT STUDENTE (3)
Ne, gjenerata e parë dhe të tjerat me radhë, deri në zyrtarizimin e universitetit, e patëm fatin e keq që t’i përjetojmë të gjitha turbullirat politike të fillimit të pluralizmit, të shoqëruara me represion shtetëror, marrje në pyetje nga ana e policisë, përballja me dilemën hamletiane ,,të jesh, apo të mos jesh”, kushtet e vështira infrastrukturore, studimi në kapsullë, pa mos dalë edhe një ditë të vetme, vetëm për të parë një universitet evropian, dhe kështu me radhë, kurse gjenerata e juaj, jo vetëm që nuk i ka përjetuar këto, por keni qenë partnerë në bashkëndërtim të Universitetit, keni pasur kushte të shkëlqyera infrastrukturore, e keni gëzuar lirinë e shprehjes, profesorët i keni pasur si prindërit tuaj, dhe më e rëndësishmja, që ne as që e kemi ëndërruar, po festoni me krenari dhe dinjitet ditën e diplomimit tuaj, në një atmosferë dhe performancë të shkëlqyer, së bashku me rektorin, prindërit, të afërmit, kolegët tuaj dhe figura të tjera të rëndësishme politike dhe shoqërore.
UT STUDENTE (4)
Pavarësisht se për ju sot përfundon koha e studimeve, faza më e bukur e jetës tuaj, mos e ulni kokën, por ndjeheni tepër krenarë, sepse edhe shumë sfida më të rëndësishme ju presin në jetë. Ju jeni luanët e këtij populli, rrugëndërtuesit, përvijuesit e së ardhmes për të gjithë ne, shoqëria pret nga ju, përkushtojuni me mish e me shpirt profesionit tuaj, dilni faqebardhë, bëjini edhe prindërit faqebardhë, sepse ata edhe bukën e gojës e kanë ndarë për ju, për këtë ditë, bëjini edhe Universitetin faqebardhë, duajeni atë si gjënë më të shtrenjtë, sepse për këtë është derdhur gjak, është dhënë shumë mund, është bërë shumë sakrificë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që të jetë shënjestër e qëllimeve makabre të askujt”, tha Prof. Dr. Arbër Çeliku.

UT STUDENTE (5)

Ceremoninë e hedhjes së kapelave të apsolventëve të Universitetit të Tetovës me prezencën e tij e nderoi edhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë.

UT STUDENTE (6)UT STUDENTE (7)UT STUDENTE (8)