Donika Kamberi është zgjedhur kryetarja e re e Parlamentit Studentor në Universitetin e Tetovës. Nga 4789 studentë sa e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës, Donika Kamberi mori më shumë vota (3230) se kundër kandidati i saj Argëtim Arifi (1538), ndërsa 21 vota u shpallën të pavlefshme.
“Dua të falënderoj të gjithë studentët për përkrahjen që na kanë dhënë. Ne sot, të gjithë së bashku kemi dhënë një mesazh për të gjithë, se si respektohen parimet dhe vlerat e demokracisë. Sot të gjithë studentët kanë fituar, askush nuk është humbës. Sigurisht që ne zhvilluam një garë dhe brenda garës ka një fitues dhe një humbës, por e rëndësishme është se të gjithë mes vete jemi miq dhe jemi studentë të këtij universiteti. Së bashku do t’ia dalim që t’i realizojmë qëllimet dhe objektivat tona”, deklaroi kryetarja e re e Parlamentit Studentor në Universitetin e Tetovës.
Kryetari në largim i Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Ardian Bilalli, ka uruar të dy kandidatët për garën që kanë zhvilluar në këto zgjedhje, ndërsa kryesinë e re, në krye me Donika Kamberin, që morën legjitimitetin e studentëve, i përgëzoi duke shpresuar se gjatë mandatit të tyre do t’i realizojnë të gjitha projektet të cilat i kanë premtuar para studentëve./Telegrafi/