Akoma nuk ka rezultate nga konkursi plotësues për staf akademik në Universitetin “Nënë Tereza”. Për më tepër se një muaj aplikuesit në këtë konkurs po presin rezultate. Nga UNT, duke mos përcaktuar datën e rezultateve, njoftuan se aplikimet vazhdojnë të shqyrtohen nga komisioni recensues. Njëkohësisht, nuk japin  informacione se sa është numri i atyre që kanë aplikuar për të qenë pjesë e stafit akademik.


“Ende nuk ka rezultate konkrete. Aplikimet janë duke u shqyrtuar nga recensentët. Nuk mund të kumtojmë numrin e të paraqiturve”.

Alsat mëson se kandidatët potencial janë duke u thirrur në intervista, informacion ky i pakonfirmuar nga UNT, por që le të kuptohet se shpallja e rezultateve nuk është afër.

Ndërkohë, afati i dytë për studentë ka përfunduar. Studentët që kanë plotësuar kushtet kanë filluar ligjëratat, edhe pse faqen zyrtare nuk ka rezultate përfundimtare. Për pranimin ose mos pranimin e tyre në UNT, studentët janë njoftuar veç e veç nga administrata. Nga ana tjetër, 5 nga 14 programet e akredituara nuk kanë filluar më punë si pasojë e mosinteresimit të studentëve dhe mungesës së stafit akademik. Studentët të cilët kishin aplikuar në këto programe, ose janë tërhequr ose janë regjistruar në programe tjera studimore.

Edhe pas gati një muaji fillimi me punë të këtij universiteti, ushtruesi i detyrës rektor në UNT, nuk ka një përgjigje për opinionin rreth dyshimeve për dhënien e titujve shkencorë në kundërshtim me ligjin dhe  politizimin e stafit akademik. Përzgjedhja e disa profesorëve në UNT me të kaluar politike, vjen edhe pas zotimit të kreut të BDI-së Ali Ahmeti, se në Universitetin e ri, nuk do të ketë ish funksionarë të partisë së tij.