Ushqimet për një kujtesë të shëndetshme

Sekreti për një kujtesë të shëndetshme mund të fshihet në… frigorifer. Elisabetta Menna, studiuese në Institutin Klinik “Humanitas” në Rozzano (Milano), propozon një listë me 7 ushqime që ndikojnë pozitivisht te kujtesa. 

Vezë, grurë, kikirikë, merluc, fara luledielli, kafe dhe çokollatë janë disa prej aleatëve të trurit dhe kujtesës, pasi janë të pasura me kolinë, një molekulë e rëndësishme për ruajtjen e strukturës qelizore dhe funksionet e sistemit nervor.

Këto ushqime ndihmojnë kujtesën në terma afatgjatë. Çokollata përmban flavonoide, të cilat luftojnë humbjen e kujtesës, ndërsa antioksdantët me të cilët është e pasur kafeja mbajnë trurin të shëndetshëm dhe parandalojnë depresionin te femrat.

Edhe perimet njihen për ndikimin pozitiv në shëndetin e trurit. Brokoli, lakrat, lulelakra etj. përmbajnë vitaminë C dhe acid folik, të cilat kanë efekt pozitiv sidomos në rritjen e vëmendjes dhe përqendrimit.

Spinaqi, i cili është i pasur me luteinë, një antioksidant i fuqishëm, mbron trurin nga plakja.

Arrat janë një tjetër aleat i trurit. Të pasura me acidet yndyrore Omega 3 dhe Omega 6 vitaminë E dhe B6, ato ndikojnë në mirëfunksionimin e sistemit nervor.

Boronicat njihen gjithashtu për ndikimin pozitiv te truri. Ato parandalojnë plakjen dhe luftojnë veprimin e radikaleve të lira.