“Pse duhet kritikuar edhe opozita”, keshtu e ka nisur sot kolumnen e radhes Sefer Selimi, duke theksuar faktin që “20 vite me radhë janë duke dremitur jashtë pushtetit”?! Eshtë pikërisht ajo kur një plak sheh filma me efekte speciale dhe shprehet “sikur të mos jetë e vërtetë do jetë rrenë e madhe”! Seferi është shume ‘’kompetent’’ ne analizimin e gjerave kur bëhet fjalë për opozitën, me kulturë debati dhe fare pak e bën këtë për partinë shqiptare në pushtet. Në këtë kolumne, si duket pa e diktuar, ai ka shkarë në pistën e atyre qe e kanë për detyrë ta thonë atë qe e thonë. Kjo tezë do të qëndronte nëse kjo i dedikohet PDSH-së dhe nëse ajo parti do ishte në opozite, pasi vetëm ajo parti e përmbush faktorin për ta kritikuar (apostrofuar), 20 vite opozitë e BDI-së! Asnjë parti tjetër, në të vërtetë asnjë organizim tjetër politik nuk e përmbush këtë që theksohet.

Por pse apostrofohet kjo?

E pash që edhe Arben Ratkoceri i kishte ngritur lapidar shkrimit të Selimit në profilin e tij në Facebook. Natyrisht, Ratkoceri e ka për detyrë, normë pune, por Seferi nuk duhet ta ketë. Por kur ndërton situatën me të gjitha rrethanat, të duhen elemente siç janë protagonisti dhe antagonisti, kështu ndërtohet edhe situata ku ndër-veprojnë këta dy protagonist. Nëse protagonisti është 20 vite në pushtet, kjo nuk ndodh shkaku i antagonistit të dobët, por shkaqet janë të shumta, në veçanti kapja e shoqërisë në të gjitha dimensionet dhe logjika e etabluar NUK ESHTE ME RENDESI KUSH, SI DHE PER KE VOTON, E RENDESISHME ESHTE KUSH I NUMERON VOTAT! Keshtu ishte stalinizmi, kishte krijuar tërë atë makineri të pushtetit dhe normalisht numërimin e votës e bën pushteti dhe për rrjedhojë dihet se në favor të kujt numëron ai sistem. Në fund të fundit dikush mund të thotë se ndryshimi i pushtetit bëhet me votë, por vota nuk është çdoherë akt racional, këtë e thotë edhe Rexhep Qosja kur fliste (para 7-8 vitesh) për arsyet pse LVV nuk mund të fitonte pushtetin, sepse klani PRONTO kishte krijuar numëratorin, prandaj vota nuk kishte se si ta nxirrte të parën LVV.

E dimë se nevoja për themelimin e LRPDSH doli pikërisht nga ajo që Seferi e thotë, ‘’12 vite opozitarizëm klientalist te PDSH në raport me BDI-në’’. Pra, një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të PDSH e detektuan, apo thënë më mirë e ndjen këtë qe e thotë Seferi, se kjo mënyrë e të bërit opozitë është diçka e kurdisur (klientaliste). Pra, bëjmë se gjoja jemi opozitë, por në të vërtetë jemi vërtetim dialektik i domosdoshmërisë së BDI-së për të qenë në pushtet. Makiaveli këtë e quan ‘’OPOZITE E PAGUAR’’, e cila vetëm dëshmon domosdoshmërinë e mos ndryshimit te pozitës.
Tendenca për të dalë nga kjo gjendje amullie, apo amorfe (formimi i LRPDSH dhe BESA) shkaktoi shqetësim tek pozita dhe menjëherë i morën masat që të instalojnë ‘’kuajt e Trojës’’ brenda këtyre strukturave, për të parandaluar që kjo logjikë apo sistem i të menduarit mos të përhapet tek populli. Pasoi ndarja e BESA-s, në dy taborë dhe ngritja e LRPDSH në ASH. Instalimi i ‘’kuajve të Trojës’’ është proces që vazhdon ende, sepse ata kuaj janë “luftëtarët” e ndryshimit brenda këtyre strukturave.

Kuptohet qe luftëtarët e vijës së parë të frontit për të mbrojtur pushtetin (establishmentin) janë media, gazetarët dhe analistët, kuptohet të blerë në treg me çmim te majmë. Analistët e pa|||varur, janë malli më i mirë në treg, sepse analistët (me nder qofshi, analiste vetem mos u thënshim) janë çdo natë në mediume dhe ata bëjnë projektin e hipnozës (mbajtjen e popullatës në gjumë dimëror), ku popullata mbahet në gjendje hibernimi (gjumë dimëror) nga prezantimi i realitetit se: gjendja nuk është e mire, por nëse vjen opozita në pushtet do jetë edhe më keq, sepse ata janë më të këqij. Kemi parasysh dimensioni ‘’antipatriotik i AA’’, me përkrahjen e fesë (e asgjë për fe nuk kanë bërë), Erdoganit, panosmanizmit, xhemijetit, etj. Ndërsa te ASH mundohen të gjejnë pikërisht atë që nuk e ka, duke spikatur mungesë te theksuar të patriotizmit apo me klishen se ‘’Ka stilin e komunikimit politik si Menduh Thaçi’’, e kur ky dimension i nacionalizmit dominon te ASH, atëherë cilësohet si populizëm! E kurrë mesi nuk iu gjetë as Selës e as partive tjera opozitare.

Kjo është ajo që ne e shohim nga establishmenti në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, ku për çudi edhe gazetarët janë në të njëjtin rrjet, ndoshta edhe pagesat i kanë të përafërta, se interes tjetër nuk ka, a mos vallë këta e bëjnë se kanë bindje politike, pff! Seferi tek ne u paraqit me përgatitje impresive analitike dhe ai është perfekt target, sepse ai e ka titullin “I pavarur” dhe kur e thotë ai, më kollaj e besojnë. Dhe ja, qëllimi arrihet disi. Asnjë medium (përveç Alsat M në dimension të inatit personal me Teatrin Shqiptar) nuk i trajton dhe analizon dukuritë shoqërore që janë derivat i keqqeverisjes së BDI. Por e spikasin që edhe për këtë fajin e ka opozita, pse nuk i rrezon nga pushteti. Seferi bën një gabim bazik të bërjes së opinioneve në politikë. Ai shkruan se opozita duhet të vërtetojë korrupsionin. Një huqjemadhe amatoreske. Nese dikush nuk e ka të qartë se çfarë funksioni ka opozita, eshte mire t’u kthehet teorive politike. Nuk është detyrë e opozitës të vërtetojë korrupsionin, por detyrë e saj është të problematizojë dukuritë, fenomenet politike apo t’i problematizojë ato e jo të vërtetojë diçka.

Çdo kund në botë e në veçanti në SHBA kemi taborët politike, ekonomike dhe industriale, kuptohet kjo është edhe në mediume. Kemi CNN dhe FOX. Është shumë normale që FOX ta quaj Bajdenin komunist, sepse nuk dëshironin që të zgjidhet, ashtu si CNN që kritikonte Trampin. Por te ne, këtë e bëjnë mediumet që vetë quhen të pavarur. Analistat e pavarur, qe janë të shitur te establishmenti dhe dhe luftojnë çdo ide apo diçka qe mundësisht mund të dëmtoj establishmentin, që do të thotë se ata do i largoj nga grazhdi! Do të ishte më e ndershme, që të deklarohen si mediume Pro establishment, e jo si mediume që quhen të pavarura. E qe në të vërtetë janë fytyra me e fëlliqur e pushtetit që qëndron aty vetëm shkaku i mundësive qe i ka, para se gjithash materiale. Duke u nisur nga fakti që dashuria nuk blihet, ndërsa sexi po, duket qarte që ata kane këmbyer diçka te tyren personale me kundërvlerë materiale. Pra, shtrohet pyetja; cilën opozitë e kritikon Seferi e cila për 20 vjet po dremit jashtë pushtetit?! Me siguri do kërkohet logjikë duke thënë se shumica e eksponentëve te opozitës së sotme kane qenë në partinë opozitare që ka dremit jashtë pushtetit. Po, por pikërisht ata eksponent nuk e pranuan atë gjumë dimëror dhe ndërmorën veprime që e dëshmojnë të kundërtën e asaj që thuhet në tekstin e tij. Përderisa në kohën e profetit Musa kishim më shumë magjistarë apo sihirbazë, në kohën e sotme i kemi mediumet, gazetarët që bëjnë sehire në opinionin publik, me të vetmin qëllim për të instaluar ‘’blur effect’’ që masa të ketë bindjen se e keqja nuk është te pushteti, por oponenca ndaj pushtetit. Keni parasysh se magjistarët në atë kohë bashkëpunonin me Faraonin, por këta gazetarët dhe opinionistet e Maqedonisë, kë mbrojnë?!

Për ta mbyllur, sapo dolën rezultatet e VV ne Kosove, pasoi panik te establishmetit i Kosovës, dhe menjëherë opinionistet në Maqedoni, dolën si skifterë neper mediume duke qetësuar popullin (duke vazhduar gjendjen e hibernimit) se ajo gjë nuk ka gjasa te ndodh tek ne, sepse tek ne nuk ka VV, nuk ka Albin Kurti, nuk ka mase kritike për opozitarizem alla Vetëvendosje. Kuptohet duke lavdëruar Albin Kurtin, (te cilin do e kishin pjekur ne zgarrë nëse do kishin mundësi) me tipare mbinjerëzore. Vetëm e vetëm për te vazhduar gjendjen e hibernimit, se nuk ka këtu njeri te tille.
Por, historia na mëson, ne veçanti Shekspiri. Magbethi thotë se sipas profecisë, për derisa nuk lëviz mali, atë askush nuk e rrëzon nga froni. Dhe vetëm një njeri qe nuk është i lindur (me lindje natyrore) mund ta vret atë. Ai vazhdon te mbretëroj (siç bëjnë anal-istet te ne), i qete. Deri sa vjen lajmi qe MALI VERTETE KA FILLUAR TE LEVIZE, DHE AI QE DO IA MERR FRONIN NUK KA ARDHE NE KETE BOTE ME LINDJE NORMALE, POR ME PRERJE CEZARIANE. Natyrisht opozita ka shumë gjëra për ta kritikuar, por jo për ‘’dremitjen’’ që i ngjitet. Opozita jam unë, opozitë duhet të jesh edhe ti, Sefer, ai tjetri, e ky tjetri. Opozitë duhet të jemi të gjithë për atë të keqe që ka ndodhur, sidomos periudhën e pasluftës.

Ne, do të presim, sepse mali ka filluar të lëviz (NDYSHIMI NE KOSOVE), duhet vetëm të del ai që e përmbush kushtin e dytë sipas Magbethit!

Emir H ||| zevendes opinionist i pavarur