Me një ceremoni solemne në Universitetin e Tetovës, sot u prezantua gjenerata e dytë e doktorantëve. Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Reshat Qahili, solemnisht ua ndanë indeksat doktorantëve që studimet në Ciklin e tretë do t’i ndjekin në shtatë fakultete të UT-së.
Përgjegjësi i Zyrës për studime të doktoratës, Doc. Dr. Kushtrim Ahmeti, para doktorantëve i prezantoi programet studimore për të gjitha drejtimet, ku ata i kanë regjistruar studimet në Ciklin e tretë. Ai tha se organizimi i studimeve të doktoratës në nivel universiteti siguron kualitet të unifikuar, konkurs të përbashkët me kritere të unifikuara pranimi dhe procedurë administrative të unifikuar. Sipas tij, studimet e doktoratës zgjasin tre vjet dhe realizohen në 6 semestra.
Po ashtu, sot gjenerata e dytë e doktorantëve të Universitetit të Tetovës e zhvilluan edhe ligjëratën e parë në lëndën Metodologjia e kërkimit shkencor.