Vaksinat nuk janë eksperimentale, e aq më pak të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Ka studime shkencore të cilat tregojnë se vaksinat kundër Kovid-19 janë efikase, deri më tani nuk është gjetur asnjë lidhshmëri mes vaksinimit dhe rasteve të vdekjes. Përqindja e qytetarëve të vaksinuar ndryshon për çdo ditë, sepse procesi i imunizimit është në rrjedhë e sipër. Kohëve të fundit ka filluar edhe vaksinimi në terren në zonat rurale dhe zonat e largëta e të paarritshme në vendin tonë. Në MALMED nuk ka arritur asnjë raport i vetëm për ndonjë reaksion negativ me pasoja fatale për të cilin është është vërtetuar se vjen si pasojë e efekteve të vaksinës. Të gjitha rastet e raportuara kanë të bëjnë me reaksione të pritura pas vaksinimit – dhimbje krahu, ethe ose plogështi, shkruan Vërtetëmatësi

Në një postim në Facebook janë shpalosur disa dezinformata sipas të cilave vaksinat janë të rrezikshme dhe shkaktojnë lëndime dhe vdekje.

Në këtë postim autori shkruan: Për fat të mirë njerëzit nuk duan t’ia dinë për “shkenca” të këtilla, dhe nuk lejojnë që tu injektojnë përbërës të panjohur (dhe të dëshmuar si të rrezikshëm) eksperimentalë në trup.

Kjo është plotësisht e pasaktë. Ekzistojnë studime shkencore se vaksinat kundër Kovid-19 janë efikase. Në studime klinike është dëshmuar efikasiteti i tyre në parandalimin e infeksionit me SARS-CoV2, rezultatet nga praksa janë inkurajuese dhe vetëm pas dozës së parë ulet rreziku nga hospitalizimi ose format e rënda të sëmundjes.

Vaksinat nuk janë eksperimentale, e aq më pak të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Ekspertë të më shumë institucioneve shëndetësore deri më tani nuk kanë gjetur asnjë lidhshmëri mes vaksinimit dhe rasteve të vdekjes.  Për tu miratuar për përdorim, vaksinat kundër Kovid-19 duhet t’i përmbushin standardet më të larta të sigurisë dhe efikasitetit. Edhe pse u zhvilluan në kohë rekord, në këtë proces, sistemet për testimin, vlerësimin e rezultateve dhe miratimin e vaksinës nuk ishin më pak rigoroze.

Në postim më tej thuhet: Djema, koeficienti në Maqedoni tregon se nuk janë vaksinuar 85% qytetarë të mençur…

Edhe ky pretendim është i pasaktë. E para, përqindja e qytetarëve të vaksinuar ndryshon për çdo ditë, sepse procesi i imunizimit është në rrjedhë e sipër. Pastaj, në përqindjen e përgjithshme të personave të pa vaksinuar (le të jetë edhe 85%) ka fëmijë nën 18 vjeç. Për ata mbi 12 vjeç, vaksinimi sapo ka filluar, kështu që është e pritshme që ata të mos jenë vaksinuar akoma, ndërsa për ata nën 12 vjeç, vaksinimi as që është i mundur. Ka edhe njerëz që kanë emigruar ose janë me qëndrim të përkohshëm jashtë vendit, por që hyjnë në numrin e përgjithshëm të popullsisë, dhe, natyrisht, ka mundësi që të jenë vaksinuar në vendet ku jetojnë.

Është fakt që interesi i qytetarëve për tu vaksinuar rritet për çdo ditë. Pak kohë më parë filloi edhe vaksinimi në terren në zonat rurale dhe zonat e largëta e të paarritshme në vendin tonë.

Sipas të dhënave të fundit zyrtare nga ministri Venko Filipçе në ditë vaksinohen dhe rivaksinohen rreth 15.000 qytetarë. Deri më tani, 58% e popullatës mbi 70 vjet ka pranuar të paktën një dozë të vaksinës.

Kështu që, një krahasim i këtillë është joadekuat dhe i pasaktë.

Në fund, postimi përfundon me një pyetje – konstatim: Pse nuk e publikoni koeficientin e vdekshmërisë dhe lëndimeve nga injeksionet në të gjithë botën? E keni në dispozicion gjithkund.

Dhe këto pretendime janë të pasakta  dhe kanë për qëllim të manipulojnë me lexuesin. Një „koeficient” i tillë nuk ekziston. Ekzistojnë disa baza të të dhënave në Internet, ku pretendohet se të vaksinuarit i raportojnë vetë reaksionet e vaksinës, por ato baza të të dhënave nuk janë të kontrolluara, pra pretendimet në to nuk mund të konsiderohen si relevante.

Studimet shkencore të institucioneve shëndetësore me emër e dëshmojnë të kundërtën, kanë dëshmi dhe fakte se vaksina kundër Kovid-19 ka parandaluar me mijëra raste të vdekjes.

Në МАLMED nuk ka arritur asnjë raport i vetëm për ndonjë reaksion negativ me pasoja fatale për të cilin është është vërtetuar se vjen si pasojë e efekteve të vaksinës. Të gjitha rastet e raportuara kanë të bëjnë me reaksione të pritura pas vaksinimit – dhimbje krahu, ethe ose plogështi.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari