Ndërmjetësuesi belg në Marrëveshjen e Përzhinos, Peter Van Houte vlerëson pozitivisht platformën e përbashkët të partive politike shqiptare. Sipas tij, pikat e përfshira në platformë do të kontribuonin në krijimin e një identiteti të ri përfshirës të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë demokratike. Ai e bazon këtë teori, te premisa se një shtet demokratik, më së shumi duhet të shqetësohet për komunitetet pakicë, që kanë gjasat të ndihen të përjashtuar nga shumica. Duke iu referuar vlerave dhe standardeve ndërkombëtare, Van Heute legjitimon kërkesat e përfshira në platformë.

  A është shumë të kërkohet njohja gjerësisht në këtë shtet, e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë – gjuhë kjo e komunitetit që përfaqëson një të pestën e popullsisë së përgjithshme? Kjo në të vërtetë do të ndihmonte në forcimin e identitetit shtetëror, ku shqiptarët mund ta shohin vetveten ashtu si qytetarët maqedonas – deklaroi Peter Van Houte, ndërmjetës në Marrëveshjen e Përzhinos.

Lidhur me debatin që kërkojnë partitë shqiptare mbi simbolet, Vanhojte zgjeron idenë e tij, me simbole që do t’i përputheshin realitetit dhe gjithashtu, t’u përkisnin njësoj të gjithëve.

  Flamuri, himni shtetëror dhe stema: një debat parlamentar mbi këto çështje do të kishte kuptim, me qëllimin e arritjes së një marrëveshje ku të gjitha komunitetet t’i pranojnë dhe mbështesin këto simbole si pjesë të identitetit të tyre të përbashkët shtetëror. Përshtatja e këtyre simboleve me realitetin nuk është turp, por do të ndihmojë që t’i bëjë bashkë të gjithë qytetarët – theksoi Peter Van Houte.

Vanhaute thekson se komuniteti maqedonas nuk duhet të ketë frikë nga kërkesat e shqiptarëve për vendimmarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave.

Parimi i subsidiaritetit, gjithashtu i mishëruar në Traktatin e Unionit Evropian, dhe jo frika nga federalizimi dhe ndarja, duhet të jenë parimet udhëheqëse këtu. Subsidiariteti nënkupton që vendimet të merren sa më afër nivelit ku ka ndikim – shtoi ai.

Van Houten thekson madje se edhe rezoluta që do ta dënonte gjenocidin ndaj popullit shqiptar në periudhën 1912-56 do të ishte hapi i parë për të pranuar të kaluarën dhe për të ecur përpara./Alsat-M