Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot do të mbahen vazhdimet e tri seancave – 60, 50 dhe 45. Në rend dite të vazhdimit të seancës së 60-të është Propozim vendimi për themelimin e komisionit anketues për shqyrtim të procesit të përgjithshëm të deklarimit në referendum më 30 shtator të vitit 2018, si dhe propozimi shtesë i ligjit për heqjen e interesit për pagesën e borxheve të cilat dalin nga shërbimet e kryesve të veprimtarive komunale, telefoni, operator celular dhe kabllovik, taksa radiodifuzive, ruajtjen e hapësirave të përbashkëta, ujitje dhe kullim të tokës ndërtimore, në lexim të dytë.

Në vazhdimin e seancës së 50-të parlamentare në mesin e numrit të madh të kërkesave për interpretime autentike janë edhe Propozim ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural, në lexim të parë dhe Propozimi për emërimin e anëtarëve të Këshillit të ekspertëve të Agjencisë për Supervizion të Sigurimit.

Deputetët në vazhdimin e seancës së 45-të pritet që të debatojnë për Propozim ligjin për plotësim të Ligjit për festat në Republikën e Maqedonisë, në lexim të parë.

Në rend dite të vazhdimit të seancës së 60-të janë edhe Propozimi për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit shtetëror për parandalimin e shkeljeve të fëmijëve, si dhe propozim ligjet për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për shërbime gjyqësore, të Ligjit për tatimin e vlerës së shtuar, të Ligjit për supervizion të sigurimit dhe të Ligjit për policinë financiare, të gjitha në lexim të dytë.

Siç është paralajmëruar, deputetët duhet të diskutojnë edhe për Propozim të ligjit për ndërprerjen e vlefshmërisë të Ligjit për garanci të Republikës së Maqedonisë në detyrimet sipas Marrëveshjes për hua për financimin e projektit HE Ura Boshkov që do të nënshkruhet ndërmjet Bankës Evropiane për Rinovim dhe Zhvillim dhe SHA ELEM dhe për Propozim të ligjit për ndryshim të Ligjit për huamarrje të Republikës së Maqedonisë te Banka për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës sipas Marrëveshjes Kornizë për hua për financimin e Projektit për ndërtim dhe modernizim të Qendrës klinike Nëna Terezë në Shkup dhe Spitalit rajonal klinik në Shtip, të gjitha në lexim të dytë.

Është paralajmëruar edhe diskutim për Propozim ligjin për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi dominante të shtetit dhe Propozim të ligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, në procedurë të shkurtuar.