Formimi i qeverisë së re pa mbështetjen e 2/3 të votave të deputetëve, e lë në “status quo” fatin e Prokurorisë Speciale, së cilës i ka mbetur edhe shumë pak mandat nga 18 mujori i parashikuar me ligj. Dy partnerët e deritanishëm të koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE dhe BDI, kanë qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me mandatin e Speciales. Bashkimi Demokratik për Integrim, punën e PSP-së dhe vazhdimin e mandatit të saj e ka në mesin e pikave për të cilat ishte shprehur se janë të panegociueshme me partnerin e ardhshëm qeverisës. Ndërkohë partia e Nikolla Gruevskit ka paralajmëruar disa herë tashmë se mandati i PSP-së nuk do të vazhdohet. Në pothuajse çdo paraqitje të zyrtarëve të VMRO-së, Specialja është akuzuar për qasje jo profesionale dhe funksionim në bazë të urdhrave partiake të LSDM-së. Ditë më parë, në një intervistë për të përditshmen maqedonase “Dnevnik”, kryetari i VMRO-DPMNE-së kujtoi edhe njëherë se VMRO është e prerë për mos vazhdimin e punës së PSP-së.

 Nuk ka nevoja juridike dhe thelbësore për vazhdimin e 18 muajve të PSP-së, por faktorët e jashtëm kanë nevojë politike, për shkak të realizimit të disa qëllimeve dhe interesave të tyre të tjera. Ideja për shtyrjen e këtyre 18 muajve nuk buron prej PSP-së. Këtë e di, nuk e supozoj. Për shkak të kësaj, ne kemi marrë një vendim se VMRO-DPMNE-ja nuk do të pajtohet për vazhdimin e afatit të PSP-së dhe këtë e kemi deklaruar disa herë – ka deklaruar ditë më parë për gazetën “Dnevnik”, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Madje Gruevski përtej kësaj deklarate ka qenë decid se nëse kushti për qeverinë e re është vazhdimi i mandatit të Speciales, të njëjtin nuk do ta pranojë. Në anën tjetër LSDM-ja dhe opozita shqiptare është shprehur bindshëm pro mandatit të PSP-së. Sipas partisë së Zoran Zaev në këtë pikë nuk ka kompromis.
Sipas opozitës mos vazhdimi i mandatit të PSP-së do të pamundësojë zbardhjen e skandaleve korruptive që burojnë nga ndjekja e komunikimeve në mënyrë të paautorizuar. Deri më tani, Specialja ka ngritur disa padi penale dhe ka nisur disa hetime, por asnjë prej tyre nuk ka epilog gjyqësor. PSP në punën e saj nuk ka pasur bashkëpunimin e mjaftueshëm penguar nga institucionet shtetërore, fillimisht nga DSK-ja, Prokuroria Publike si dhe Këshilli i Prokurorëve Publik. Në Ligjin për Specialen përcaktohen qartë kompetencat e saj dhe të drejtat për t’i proceduar lëndët të cilat burojnë ndjekja e paligjshme e komunikimeve.

Ligjin për Specialen- Neni 2
Ndjekje e paautorizuar e komunikimeve” përkufizohet si ndjekje e paautorizuar e të gjitha komunikimeve të kryera në periudhën ndërmjet viteve 2008 dhe 2015, duke përfshirë por jo edhe kufizuar në audio incizimet dhe transkriptimet e parashtruara te Prokuroria Publike para 15 korrikut 2015”.

Neni 5 i këtij ligji përcakton në mënyrë të detajuar edhe kompetencat dhe autorizimet e PSP-së. Megjithatë në këtë ligj nuk është përcaktuar vazhdimi i mandatit të PSP-së dhe për këtë gjë, LSDM-ja opozitare më përbërjen e fundit në Kuvend inicioi ndryshime në Ligjin për Specialen si dhe në ligjin për dëshmitarë të mbrojtur, mirëpo nisma e LSDM-së nuk kalo si pasojë e mos mbështetjes nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, BDI-së dhe PDSH-së./Alsat-M