Për të tretën ditë më radhë, po vazhdojnë kërkimet për dy policët e zhdukur. Siç ka bërë të ditur Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, janë 170 persona që po marrin pjesë në kërkim të trupave të dy pjesëtarëve të Policisë. Njësitë e Policisë së Kosovës, të FSK-së, Zjarrfikësve, KFOR-it, si dhe qytetarë vullnetarë, vazhdimisht po zhvillojnë kërkimet.
Kryeministri i Kosovës edhe pse para dy ditësh paralajmëroi se do të bëjë kërkesë zyrtare tek kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, që shteti i tij të ndihmojë në gjetjen e dy trupave të policëve, një gjë të këtillë kryeministri Haradinaj ende nuk e ka bërë, pasi siç është shprehur ai, po presin që ta përbyllur kërkimin brenda territoirit të Republikës së Kosovës.

“Unë ende nuk ia kam bërë një kërkesë zyrtare Maqedonisë për kërkime atje, por kam bërë një kërkesë ta quaj ashtu më shumë miqësore që të interesohen nga ana e tyre dhe në momentin kur të përmbyllim hapsirën tonë, kur të përmbyllet kërkimi në pjesën e Kosovës, do të kërkojmë edhe zyrtarisht, pra për kërkimin në pjesën e Maqedonisë… Kërkimet janë intensifikuar, kam qenë vetë në vendin e ngajrjes, i kemi shtuar numrin e personelit aktiv, mirëpo rrethanat janë shumë të pafavorshme”, deklaroi Haradinaj.

Nga Ministria e Punëve të Brendëshme e Maqedonisë bëjnë të ditur se kërkimet e tyre brenda kufirit tonë janë të vazhdueshme dhe intensive, por deri tani nuk kanë pasur ndonjë rezultat.

Ndërkaq, siç ka bërë të ditur Policia, nga shkaqe ende të panjohura, vetura në të cilën gjendeshin dy policët kishte humbur kontrollin dhe kishte dalë nga rruga në Magjistralen Kaçanik- Hani i Elezit, duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc. Në veturë ishin dy policët Malsor Dashi 26 vjeçar dhe Armend Trena 23, që të dy nga komuna e Kaçanikut. E vetmja gjë që është gjetur nga kërkimet e vazhdueshme është vetura me të cilën udhëtonin policët./Shenja