Çmimi i naftës në bursat botërore është në rënie në javën e dytë me radhë, me ç’rast investitorët dyshojnë se anëtaret e Orgaizatës së vendeve eksportuese të naftës (OPEK) do të dakordojnë ulje mjaft të madhe të prodhimit, që të zbutet disbalanca midis ofertës së madhe dhe kërkesës të zvogëluar.

Në bursën e Londrës javën e kaluar çmimet u ulën për pothuajse dy për qind në 44,75 dollarë për një barel. Në bursën amerikane nga ana tjetër ulja ishte 1,5 për qind në 43,3 dollarë për një barel.

Pas tejkalimit të goditjes fillestare, e shkaktuar nga fitorja e Donald Tramp si president i SHBA-së, investitorët në fund të javës së kaluar përsëri u drejtuan nga oferta shumë e madhe.

Raportet e fundit të OPEK-ut flasin se prodhimi në tetor ka qenë 33,64 milionë barelë në ditë që shënon rekord, 264.000 barelë më shumë në krahasim me muajin shtator. Kjo do të thotë se deri më takimin zyrtar të OPEK-ut më 30 nëntor, liderët e kartelit duhet të dakordojnë ulje më të madhe të ofertës së asaj që është parashikuar.

“Fakti që anëtaret e OPEK-ut prodhojnë naftë me tempo të përforcuar, e vështirëson mundësinë për marrëveshje”, thotë Dejvid Tompson, nënkryetar i kompanisë “Pauerhaus”.

Në të njëjtën kohë, Agjencia ndërkombëtare për energjetikë (IEA) publikoi se tregu mund të prodhojë naftë të tepërt edhe në vitin 2017, për të tretin vit me radhë.

Sipas raporteve të IEA, në tetor oferta është rritur për 800.000 barelë në ditë në gjithsej 97,8 milionë. Kjo i referohet rritjes së prodhimit në vendet të cilat nuk janë anëtare të OPEK-ut, si Rusia, Brazili, Kanadaja dhe Kazakistani.

Njëherësh, IEA e vërtetoi rritjen e konsumit ditor prej 1,2 milionë barelë, që parashihet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

Për shkak të gjithë kësaj, njohësit në të ardhmen presin lëvizje jostabile të çmimit të naftës.