Ministria e Shëndetësisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të Alsat për rritjen e numrit të foshnjave të vdekura. Një ditë më parë organizata “Platforma për barazi gjinore” shpalosi të dhëna alarmante për vdekshmërinë e foshnjave. Sipas tyre, gjatë tre mujorit të tretë të vitit, në vend ka vdekur çdo ditë nga një foshnje. Ndër shkaktarët kryesor për rritjen e vdekjes se foshnjave përmendet edhe mungesa e gjinekologëve amë në shumë komuna të vendit.

“Komuna Shuto Orizarë është një nga 45 komunat në Maqedoni që nuk ka mjek gjinekolog, edhe ai i cili është i punësuar me vendim pune në këtë institucion të shëndetit publik vjen vetëm një herë në javë. Ndërsa, gratë që i anketuam për Alsat shprehen të revoltuara dhe thonë se kjo bëhet për shkak se i takojnë përkatësisë etnike rome”.

“Sigurisht që duhet të kemi gjinekolog, shumë herë kemi kërkuar deri më tani”, tha një qytetare.

“Duhet të kemi këtu, jo të pagujmë taksi ose autobusë. Nga 500 dhe 300 denarë i paguajmë kontrollet dhe ehot . Çdo muaj duhet të shkoj në kontroll”, u shpreh një tjetër qytetare.

“Duhet të kemi, pse jo, por këtu askush na shiko për shkak se jemi romë”, deklaroi një qytetare.

Sipas gjinekologes Lulzime Hoxha, kontrollet jo të rregullta gjatë shtatëzanisë, varfëria dhe mungesa e kushteve tjera janë shkaktar të rritjes së vdekshmërisë së të foshnjave.

“Pse tek ne është numri i rritur do ta kisha thënë vetëm atë se gjatë lindjes së parakohshme, sidomos prej javës 24, tek ne kushtet janë të vështira dhe të pamundura ndoshta apo mund ti them kantaktibile me jetën. Kjo mund të jetë një faktor i rritjes së numrit, e faktor tjetër është poashtu mos përcjellja e shtatzënisë si nga ana e vet pacientëve po edhe nga ana e mos mundësisë të paturit mjek në vendet, sidomos rurale, tha gjinekologia Lulzime Hoxha.

Në gjysmën e komunave në Maqedoni, nuk ka asnjë gjinekolog amë, ndërsa në 24 komuna të tjera edhe pse ka gjinekolog, të njëjtit nuk janë në numër të mjaftueshëm.
Sipas statistikave, në vitin 2011 kanë vdekur 172 foshnja, në vitin 2015 198 foshnja, ndërsa në nëntë muaj e parë të këtij viti kanë vdekur 206 foshnje të porsalindur.