Bartësi i listës së deputetëve në njësinë e gjashtë zgjedhore nga koalicioni “VMRO për Maqedoni”, Zoran Velkovski sot në pres-konferencë para Qendrës së kulturës “Ilo Anteski Smok” në Tetovë foli për ndotjen sepse, sipas tij, Tetova është qyteti më i ndotur në Evropë dhe një nga më të ndoturit në botë, shkruan a1on, transmeton FOL.

Velkovski tha se nëse do të fiton mandate do të ketë më shumë masa për ta luftuar këtë problem, nga i cili është rritur numri i të sëmurëve me kancer, vdekja tek të sapolindurit dhe numri i fëmijëve të lindur me deformime. Sipas tij, faktor kryesor për ndotjen është deponia e egër në hyrje të Tetovës.

“Mijëra familje në Jegunovc kanë mbetur pa bukë për shkak të ndotjes, kurse askush nuk e përmend faktorin kryesor të ndotjes e ajo është deponia e egër në hyrje të Tetovës, në afërsi të “Zhito Pollog” që e furnizon gjysmën e Maqedonisë perëndimore me bukë dhe është një nga burimet më të mëdha të kancerit në Maqedoni” tha Velkovski.

Velkovski premtoi se pas zgjedhjeve do të angazhojnë ekspertë ndërkombëtarë për të zvogëluar ndotjen, se do t’i vendosin filtrat në fabrikën në Jegunovc e njerëzit të kthehen në punë.