Familja e komandant Shqiponjës tanimë ka humbur besimin edhe në drejtësi, por edhe në reformat e premtuara nga Qeveria e re. Në pritje të përgjigjes nga Gjykata e Apelit, vëllau i Shqiponjës, Qahil Rexhepi thotë se tani qëllimi i vetëm i tyre është që popullata të kuptojë të vërtetën, pasi nga institucionet nuk presin drejtësi.
 Qahil Rexhepi, vëllau i Komandant Shqiponjës
“Ka qenë një vrasje e organizuar mirë, me qëllim dhe paramendim. Besim më definitivisht nuk kemi në institucione, institucionet janë të kapura nga politika edhe shumë problem me ja arrit qëllimit dhe të dale drejtësia. Me ndryshimin e Qeverisë shembull premtimet që i ka bo Qeveria kinse reformatore, tash po shifet se edhe kjo Qeveri ka të njëjtin qëllim, të njëjtat vepra, është shumë problem dhe nuk kemi besim në këtë Qeveri dhe në gjyqësi”

Ai shprehet i dëshpëruar edhe nga Prokuroria Speciale e cila edhe përkundër shumë zotimeve nuki hapi asnjë nga rastet që tangojnë shqiptarët. Rexhepi thotë se edhe kjo Qeveri vazhdon praktikën e njëjtë si qeveria e kaluar VMRO-BDI. Kur bëhet fjalë për vrasje të shqiptarëve dënimet janë minimale, për dallim nga incidentet ku dëmtohen maqedonasit ku jepen dënime maksimale.

Qahil Rexhepi, vëllau i Komandant Shqiponjës
“Tash imagjinoni kur ta bëjsh krahasimin, për vrasjen e Komandantit shembull gjykohet me një dënim minimal, faktikisht unë e shoh atë si shpërblim jo si dënim shembull me 5 vite, ky tjetri me 1 vit e 3 muaj dhe imagjinoni rastin e 27 prillit ku zonjën Sheqerinska e ngreh për flokë dhe dënohet me një dënim 4 vjeçar. Tani paramendoni për vrasje të njerit dënohet me 5 vite dhe një akt që e dënoj edhe atë se është akt i shëmtuar, por kur ta krahasosh ai e merr dënimin katër vite ndërsa ky vret njeri 5 vite”

Vëllau i komandant Shqiponjës thotë se ata nuk presin drejtësi nga institucionet, por vetëm luten që ky të jetë rasti i fundit i kësaj natyre. Për këtë ata duan që të senzibilizojnë gjithë opinionin.

Qahil Rexhepi, vëllau i Komandant Shqiponjës
“Mos t’i ndodhe askujt kjo që na ka ndodh neve. Shqiponja ishallah dhashtë Zoti është rasti i fundit që një çlirimtar vritet. Unë gjithë këtë rast e kam pas qëllim të dalin në pah dhe popullata të kuptojë çka ka ndodh, më vjen mirë që popullata na kanë përkrah në maksimum, janë të vetëdijshëm të gjithë se çfarë ka ndodh”

Për vrasjen e komandant Shqiponjës, familjarë dhe bashkëqytetarë të tij protestuan vitin e kaluar duke mos lejuar mbajtjen e tubimit parazgjedhor të BDI-së në Kumanovë. Babai i të ndjerit komandant Shqiponjës akuzoi direkt kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, për vrasjen e djalit të tij.

Mejdi Rexhepi, babai i komandant Shqiponjës
“Alia ma ka vra djalin, Alia i ka vra lagjen e trmave, Alia i ka vra 8 milic i ka lënë nënat pa djem, nuset pa burra, fëmijët i ka lënë jetim. Ata milic që janë maqedon ata janë si djemt e tonë, po veç ky e ka bë, sherri këtij, ky është i poshtër. Ky nuk ka vend në Kumanovë, nuk ka vend as në Maqedoni, ky askund nuk ka vend. Por ky pasi po vjen në Kumanovë, unë do të shkoj në Zajaz me ble një shtëpi, aty kam me ju bë kojshi”

Kujtojmë që Xhemail Rexhepi u vra në pasditen e 23 korrikut të 2015-tës nga plumbat që i shkrepi Bajram Limani, njëkohësisht edhe miku i liderit të BDI-së, në lokalin ku ishin grumbulluar të bisedonin lidhur me koordinimet brendapartiake. Edhe pse i përzgjedhur nga strukturat partiake për kryetar të degës së Kumanovës ishte Xhemail Rexhepi, Ali Ahmeti, për të ushtruar këtë detyrë e emëroi Bajram Limanin.

/SHENJA/