Njerëzit që kanë vena varikoze janë të rrezikuar të zhvillojnë një mpiksje gjaku me pasoja fatale, sugjeron një studim i ri.
Studimi i kryer tek 420 mijë njerëz sugjeron se kjo gjendje duhet të konsiderohet si shenjë alarmi për zhvillimin e trombozës së venave të thella ose embolizmi pulmonar.

Shkencëtarët zbuluan se njerëzit që kanë vena varikoze janë 5 herë më shumë të rrezikuar që të zhvillojnë trombozë të venave të thella, një mpiksje gjaku në këmbë që mund të çojë në prerje të gjymtyrëve deri në vdekje, shkruan “shëndeti”.

Këta persona janë gjithashtu 2 herë më të rrezikuar që të zhvillojnë embolizëm pulmonar, një mpiksje që kalon në mushkëri dhe mund të jetë vdekjeprurëse. Ata janë gjithashtu dyfish më të rrezikuar që të vuajnë nga sëmundja arteriale periferale, që ul rrjedhjen e gjakut në krahë dhe këmbë.

Çfarë janë venat varikoze?
Venat varikoze janë zgjerime të qëndrueshme të venave sipërfaqësore të gjymtyrëve të poshtme, të shoqëruara nga dëmtimi i valvulave dhe rikthimi i gjakut venoz.

Shenjat klinike të venave varikoze
Prania e venave të zgjeruara në gjymtyrët e poshtme jep dhimbje, lodhje të këmbëve, mpirje, këmbë të rënda, sidomos gjatë qëndrimeve të gjata në këmbë pa lëvizur ose ulur për një kohë të gjatë, gjatë periudhës premenstruale tek gratë, në periudhën e nxehtë, gjatë ngritjes së peshave të rënda, temperaturë lokale, kruajtje mbi zonën e varikozuar etj. Venat varikoze mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të problemeve me qarkullimin e gjakut.

Shkaku i vërtetë i kësaj patologjie nuk është identifikuar ende, por publikime të shumta tregojnë që radikalet e lira ose të paktën prania e tepërt e tyre luan një rol të rëndësishëm në shfaqjen e sëmundjes së venave, duke dëmtuar strukturën e paretit venoz. Kjo shpjegon rolin e substancave antioksiduese, si flavonoidet dhe vitaminat E dhe C në përmirësimin e klinikës së kësaj sëmundje.