Për shpejtësi më të madhe se e lejuara, vozitësit do të dënohen me gjoba të cilët janë nga 45 deri 450 euro, kurse për vozitësit që tejkalojnë çdo normë të shpejtësisë, parashihet edhe marrja e përkohshme e patentës së shoferit nga 3 muaj deri në një vit.

Gjatë periudhës që pason, dukshëm do të rritet frekuentimi i veturave dhe automjeteve tjera në rrugët e Tetovës dhe jo vetëm. Muajt e verës, gjithnjë shtojnë kaosin në trafik në rrugët e qytetit të Tetovës që paraqet edhe angazhim shtesë për pjesëtarët e policisë. Së këndejmi, nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se edhe në të kaluarën por edhe në këtë periudhë do të ndërmarrë masa për më shumë rend dhe siguri në komunikacion. “Në këtë drejtim, në mënyrë të vazhdueshme do të ketë kontrolle dhe aktivitete të rregullta dhe të shtuara lidhur me shpejtësinë që lëvizin automjetet jashtë dhe në vendbanime, kryesisht në autostradën Shkup-Tetovë-Gostivar-Kërçovë dhe anasjelltas, sepse në këta akse rrugore pritet të rritet dukshëm frekuentimi për ne vendet turistike. Apeloj deri tek vozitësit që të përshtatin shpejtësinë me kushtet në rrugë, të mos rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”, thotë Marjan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Për shpejtësi më të madhe se e lejuara, vozitësit do të dënohen me gjoba të cilët janë nga 45 deri 450 euro, kurse për vozitësit që tejkalojnë çdo normë të shpejtësisë, parashihet edhe marrja e përkohshme e patentës së shoferit nga 3 muaj deri në një vit. Krahas kësaj, nga policia thonë se do të shtojnë kontrollet edhe në qytet sidomos me parkimin e palejuar paralel dhe me parkimin në vende adekuate ku pengohet qarkullimi i lirë.

“Pak kohë më parë, në koordinim me shërbimin e merimangës të Tetovës dhe Gostivarit, kemi përforcuar aktivitetet në trafikun rrugor, ku në Tetovë, brenda dy ndërrimeve nga ora 9:00 deri në orën 23:00, me dy automjete të merimangës merren veturat e keqparkuara. Në shënjestër janë veturat që parkohen në të ashtuquajturat rreshta të dyfishtë, veturat e parkuara në udhëkryqe, në trotuare dhe vende tjera ku nuk lejohet parkimi. Dënimet për këtë lloj të kundërvajtje sillen nga 45 deri në 180 euro”, tha Josifovski. Policia sqaroi se në të ardhmen poashtu në shënjestër do të jenë edhe vozitësit e motoçikletave dhe trotineteve elektrike. Në këtë drejtim nga policia e Tetovës theksojnë se qytetarët duhet që të jenë të kujdesshëm edhe kur kalojnë vijat e bardha dhe të respektojnë rregullat për kalim të rrugës. Nga SPB-Tetovë thonë se disponojnë me numër të mjaftueshëm të pjesëtarëve të policisë për përballje me këtë periudhë që pason që të ketë rend dhe më shumë siguri në komunikacion. (koha.mk)