Mëngjesi i së shtunës ka filluar me reshje të mëdha të shiut, reshje këto që kanë përmbytur disa rrugë në Gjakovë dhe jo vetëm.

Pamjet tregojnë se rrugët e qytetit janë vërshuar nga uji e ndër to, edhe disa kate të bizneseve.

Faqja në Facebook, “Gjakova Sot” ka publikuar edhe një video nga e cila shihet një shtëpi e përmbytur.

“Në Brekoc, një familje ka mbetur në rrugë për shkak të përmbytjeve”, shkruan në postim.

Vërshimet nga shiu kanë shkaktuar dëme edhe në komunën e Rahovecit.

Disa video janë publikuar në rrjetin social Facebook, në të cilat shihet fshati Denjë i vërshuar nga uji.

“Sot ka lajmërime të shumta se në shumë shtëpi ka depërtuar uji duke shkaktuar dëme materiale dhe ka zënë familjarët në befasi. Lusim qytetarët për solidaritet njëri me tjetrin në ndihmes të atyre familjeve që tashmë janë nën vershime”, thuhet në mbishkrim.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të mbajë mot me shi dhe shkarkime rrufesh./tvd/