Vetëm gjatë muajit janar të këtij viti në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) janë regjistruar 15 biznese që kanë aktivitet primar uebportalet, ndërsa nga janari deri në dhjetor të vitit të kaluar në ARBK janë regjistruar 44 uebportale.

“Nga 01.01.2015 deri më 31.12.2015 janë regjistruar 44 biznese që aktivitet primar kanë uebportalet. Momentalisht janë të regjistruara gjithsej 59 biznese. Çmimi për regjistrimin e bizneseve është zero euro (0€)”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” drejtori i Drejtorisë për Çështje Administrative të Regjistrimit të Biznesit në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), Mehdi Pllashniku.

Sociologu dhe profesori universitar, Fadil Maloku, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rritja e numrit të portaleve në Kosovë vjen si pasojë e një konkurrence jolojale dhe, sipas tij, kjo është një lloje histerie. “Portalet me emancipimin e shoqërisë është e natyrshme ta kenë një farë koherence, por meqë në Kosovë nuk ka ndonjë mekanizëm të kontrollit për media që ta bëjë seleksionimin e atyre që hyjnë në konkurrencë lojale. Rritjen e numrit të portaleve e shoh si pasojë të një konkurrence jolojale dhe është një lloj histerie që është pasojë e tregut jolojal”, ka thënë Maloku.

Ai ka shtuar se tek ne secili ka mundësi ta hapë një portal për ta provuar mundësinë në këtë fushë dhe kjo, sipas tij, na kujton periudhën e pasluftës kur lulëzuan pompat e benzinës. “Këtu secili ka mundësi të hapë një portal për të provuar dhe kjo na përkujton periudhën e pasluftës, kur u hapën shumë pompa të benzinës. Prandaj, është një mentalitet i pashpjegueshëm që në periudhat e tranzicionit si vrapojmë pas një biznesi i cili presupozohet se është profitabil”, ka thënë Maloku.

Ai ka thënë se nëpërmjet këtyre uebportaleve politika mundohet ta ushtrojë ndikimin e saj. “Ka ushtrim të ndikimit edhe nga ana e qeverisë, por edhe nga ana e opozitës, që ta ushtrojnë ndikimin e tyre në publik në mënyrë që t’i neutralizojnë qëndrimet dhe opinionet, gjykimet dhe veprimet e kundërshtarëve. Kjo ndërlidhet me histerinë dhe tregun jolojal dhe me ushtrimin e ndikimit të subjekteve politike”, ka thënë Maloku, duke shtuar se kjo po ndodh për faktin se Kosova ende është shoqëri në tranzicion në procesin e hulumtimit. “Në anën tjetër, jemi një shoqëri që ende jemi në procesin e tranzicionit dhe ende jemi në një proces të hulumtimit të identiteti mediatik, politik, ekonomik dhe social”, është shprehur Maloku.

Kurse studiuesi i medieve dhe konfliktit në universitetin “Ludwig-Maximilians” të Munihut në Gjermani, Abit Hoxha, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se media online është trend i zhvillimeve të medieve në tërë botën dhe kjo, sipas tij, po ndodh edhe në Kosovë.

“Nëse shohim se si qasen këto media nga audienca, shohim se 70 % e tyre kanë qasje nga pajisja mobile, si telefoni mobil, e kjo e bën këtë lloj mediumi shumë më atraktiv për audiencën, sepse ka përparësitë e veta së pari financiare, pasi pothuajse është pa pagesë dhe ka përparësitë e saj të tjera si mobiliteti, shpejtësia, qasja nga kudo etj”, ka thënë Hoxha.

I pyetur se çfarë efektesh mundë të sjellë për informimin ky numër i uebportaleve, Hoxha ka thënë se ka zëra në botën e hulumtuesve se informimi ‘online’ e ul cilësinë e gazetarisë dhe ka të atillë që argumentojnë të kundërtën. “Mendoj se kualiteti i gazetarisë në Kosovë nuk është ulur nga portalet, por nga gazetarët. Efekti që portalet kanë sjellë në Kosovë është i përkohshëm dhe kjo ka ngucur tregun e gazetave të printuara, por nuk është arsyeja e vetme”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, efekti tjetër është më tepër organizativ, pasi në mediet e Kosovës ka mjaft vetëcensurë dhe gazetarët kërkojnë shpëtimin në portale, pasi janë më të menaxhueshme dhe me më pak ndikim editorial. “Gjithsesi, kjo sjell kualitetin e dobët të gazetarisë, por ky kualitet i dobët nuk ndërlidhet vetëm me mundësinë e publikimit në portale apo medie ‘online’. Kualiteti i ulët i gazetarisë lidhet me kulturën, edukimin, etikën, lirinë dhe shumë faktorë të tjerë. Më i rëndësishmi ndër ta është dhe ai financiar”, është shprehur Hoxha. Ai ka deklaruar se gazetaria ‘online’ në Kosovë nuk është duke funksionuar në mënyrë profesionale.

“Nuk është duke funksionuar as gazetaria e shtypur apo e medieve elektronike në mënyrë profesionale. Duke parë indikatorët e Freedom House, se Kosova ka pjesërisht liri të shtypit, duke parë kualitetin e mbulimit të ngjarjeve në Kosovë nga media, mund të vërehet mungesa e standardeve dhe integritetit profesional tek gazetarët. Kjo gjithsesi përjashton disa gazetarë që bëjnë punë të mirë”, ka theksuar Hoxha, duke shtuar se gazetaria ‘online’ është refleksion i situatës me pronësinë dhe gjendjen financiare të medieve në Kosovë.

“Pra, nuk është vetëm dekadente e gazetarisë, por është më shumë disidente ndaj pronësisë, censurës, autocensurës, autoritetit dhe ndikimit politik e ekonomik në gazetari”, ka thënë Hoxha. /Epoka e re

Portale-620x330