Të martën në Bruksel janë takuar kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Përmes këtij takimi, iu tregua Serbisë se Kosova nuk lëshon më pe në gjërat që e dëmtojnë atë.

Në lidhje me këtë rifilim të dialogut, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Adem Bytyçi, i cili u shpreh se Kurti është dashur të kyçet shumë më herët në negociata.

Ai thotë se asnjëherë më parë Kosova nuk është përfaqësuar më dinjitetshëm se tani.

“Që nga fillimi i negociatave Kosovë – Serbi, Kosova asnjëherë nuk është përfaqësuar në mënyrë më të dinjitetshme në negociatat me Serbinë se kësaj radhe nga Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti. Disa herë është pohuar nga njohësit më të mirë të çështjeve politike, se po të ishte kyçur më parë z.Kurti në negociatat Kosovë – Serbi, Kosova do ta kishte një pozitë shumë më të favorshme në këto negociata me Serbinë, se sa që e ka tani”, u shpreh Bytyçi.

Më te, ai ka vlerësuar se Kurti do t’i mbrojë më së miri interesat e Kosovës, duke mos iu nënshtruar Serbisë në asnjë moment.

“Nuk mund të thuhet me saktësi se çka do të përfshinte Marrëveshja definitive paqësore Kosovë- Serbi, por z. Kurti do t’i mbrojë më mirë se cilido politikan tjetër interesat e Kosovës në raport me shtetin serb, ani pse kundërshtarët politikë të Kurtit mundohen ta pohojnë të kundërtën për partitë politike”, tha analisti.

Në fund, ai ka shtuar se në çdo takim tjetër të radhës, Vuçiç do të përdorë vetëm gënjeshtrën asgjë më shumë, për të cilën janë të bindur tashmë edhe BE e SHBA-të.

“Presidentit serb Aleksandër Vuçiqit në cilido takim me z.Kurti, e vetmja armë në dialog i mbetet gënjeshtra dhe asnjë fakt tjetër, zaten për këtë janë bindur edhe ndërmjetësuesit evropianë, Lajçak dhe Borrell në takimin e fundit Kurti- Vuçiq”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.