Teksa ka mbetur vetëm disa orë para fillimit të procesit zgjedhor në Maqedoni, përkrahjet për partitë shqiptare atje po vijnë edhe nga jashtë.

Tre figura kyçe të Lëvizjes Vetëvendosje, bëjnë thirrje drejtuar shqiptarëve në Maqedoni që të votojnë Aleancënpër Shqiptarët.

Elvis Hoxha dhe Belgzim Kamberi anëtarë të kryesisë së Vetëvendosjes dhe Rilind Gërvalla, aktivist dhe figurë kyçe në VV kanë shprehur hapur dhe pa rezervë preferencat e tyre në Maqedoni.

“Do të ishte e drejtë që nesër shqiptarët e Maqedonisë t’i jepnin votat e tyre për forcën politike që flet shqip. Do të kishim ndonjë shpresë nëse shqiptarët votojnë për interesat e tyre.

Është e qartë se deri tani e vetmja forcë shqiptare në atë krahinë shqiptare është Lëvizja e Zijadin Selës”- shkruan Elvis Hoxha, anëtar kryesie dhe njëri nga tre ideologët e Vetëvendosjes.

“Do të votoja Ziadin Selën”- shkruan shkurt Rilind Gërvalla, ndërsa anëtari tjetër i kryesisë, Belgzim Kamberi ka shpërndarë fotografinë e kandidatëve të Aleancës, për të treguar se shqiptarët e Maqedonisë duhet ta votojnë numrin 7, Aleancën për Shqiptarët.

Për bashkëpunimin e VV me Aleancën, flet edhe fakti se përfaqësuesi i VV-së për Maqedoni dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosje është Bekim Qoku, ish deputet, këshilltar politik i Ziadin Selës dhe anëtar i Kuvendit dhe Kryesisë së Lëvizjes për Reforma.

Përkrahje për Aleancën për Shqiptarët kanë ardhur edhe nga veprimtarë tjerë nga trojet shqiptare dhe diaspora. /albeu.com/