Kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencë për shtyp në Bruksel pas Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor theksoi se Maqedonia e Veriut e refuzon propozimin francez për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë në formën siç është tani, njofton Portalb.mk.

“Propozimi në këtë formë siç është për momentin është i papranueshëm për mua, presidentin e shtetit, Qeverinë, partnerët e koalicionit dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nëse gjatë udhëheqësisë franceze arrihet mirëkuptim i pozicioneve tona, ne jemi të gatshëm të kyçemi në bisedime për të njëjtat që të fillohen bisedimet deri në fund të korrikut. Dëshiroj ta shfrytëzoj rastin dhe të porosis se qytetarët mund të jenë të qetë. Ne gjithmonë i kemi në plan të parë interesat dhe qëllimet strategjike të shtetit. Askush nuk mundet pa pajtueshmërinë tonë të bëjë çfarëdo zgjidhje. Ne kemi bërë gjithçka, tani BE-ja e ka radhën. Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia aktivisht dhe praktikisht do t’i zbatojnë katër liritë mbi të cilat mbështetet Bashkimi Evropian, do t’i evropizojmë shoqëritë dhe do ta përmirësojmë cilësinë e jetesës”, theksoi Kovaevski në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic.