Kombëtarja e Shqipërisë ka arritur sërish të mposht Hungarinë, për të përsëritur suksesin e sfidës së parë dhe çuditërisht me të njëjtin autor të golit – Armando Brojën.

Pjesa e parë mbaroi ashtu siç nisi, ngase asnjëra skuadër nuk i konkretizoi rastet. Berat Gjimshiti mori një lëndim që në pikëpamjen e parë u pa si i rëndë duke u larguar me barela nga fusha.

Në pjesën e dytë, Shqipëria ishte dukshëm më e mirë. Mryto Uzuni humbi dy raste një kundër një përball portierit. Ishte i inkuadruari Armando Broja që si në ndeshjen e kaluar, vulosi fitoren e “Kuq e Zinjëve”. Broja mori një pasim nga Bare dhe pastaj nga një kënd shumë i vështirë ia doli të shënojë në minutën e 80-të.

Ky gol ishte i mjaftueshëm që Shqipëria të arkëtojë pikët e plota dhe tani renditët e dyta me 15 pikë, derisa Hungaria zë vendin e katërt me 10 pikë.

Në përballjet e tjera të Grupit “I”, Anglia dhe Polonia me rezultat identic, 5-0, mundën Andorën, repsketivisht San Marinon. Sfida e radhëse Shqipërisë do të jetë më 12 tetor, kundër Polonisë.