https://youtu.be/4JMwv66mi2o

Policia financiare sot përmes një deklarate ka sqaruar rastin e ndërhyrjes së djeshme në komunën e Gostivarit. Kryetari i komunës së Gostivarit theksoi dje se hyrja e policisë financiare është e porositur nga VMRO-DPMNE.

Policia financiare në komunikatën zyrtare theksoi se është përgjegjëse për të vepruar në përputhje me Ligjin për procedurë penale, ndërsa në rastin konkret është vepruar me urdhër të prokurorit përgjegjës publik nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për shkak siç thuhet dyshimit për kryerje të veprës penale siç nënvizohet ‘Keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kompetencave në procedurën për zbatimin e furnizimeve publike. “

Nga Policia financiare gjithashtu theksojnë se i dënojnë ashpër të gjitha tentimet për politizimin e rastit dhe përdorimin e tij për siç thuhet qëllime të politikave ditore. Ndërsa, nuk jepen detaje të tjera, për shkak të procedurës parahetimore.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta dje akuzoi policinë financiare se vizita e tyre po bëhet me porosi politike. Sipas tij, “urdhri” për kontrollin ka ardhur prej komitetit te VMRO DPMNE-së, pas deklaratës që ai e dha, ku tha  “se nuk ka shqiptarë që do koalicion me Gruevskin”.

 

“Por nuk pranoj që nëse unë si nënkryetar i BDI-së jap deklaratë ashtu siç mendoj unë në interes të shoqërisë time, dikush të më dërgojë vizitë të paftuar, të më përbuzë dhe të më nënçmoj. Unë si kryetar komune, dhe si kryetar i BDI-së një gjë të tillë nuk e pranoj”, tha Bejta.  

Në BDI sot nuk komentuan rastin, ndërsa në VMRO-DPMNE thanë se përgjigjen për këtë rast duhet kërkuar në institucionet përgjegjëse.  Ndërhyrja e policisë financiare në zyrat e komunës së Gostivarit siç u bë e ditur ishte për verifikimin e dokumentacionit për një projekt infrastrukturor.