Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në spitale mbërritën 10 të lënduar në protestën e dhunshme të zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Tetë punonjës të policisë dhe dy protestues janë duke u trajtuar në spitalet universitare të Tiranës, ku njëri prej punonjësve të rendit ka dëmtime më serioze.

Në spitalin e Traumës po trajtohen aktualisht 7 punonjës të policisë dhe 2 protestues në gjendje të stabilizuar. Ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po trajtohet një punonjës i policisë, gjendja e të cilit, sipas mjekëve, është serioze, pasi rrezikon humbjen e njërit sy dhe do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.