Studiuesi britanik i Perandorisë Osmane Mark Mazower, autor i publikimeve të shumta për Ballkanin, ka sjell një episod jo fort të njohur për shqiptarët e Selanikut.

Autori i librit ‘Selaniku, qytet i fantazmave: krishterët, myslimanët dhe hebrenjt 1430-1950’ ka dritësuar fakte tronditëse që nuk janë prekur asnjëherë nga historiografia shqiptare, shkruan Konica.al.

Mazower, teksa përshkruan kryengritjet shqiptare në More kundër autoritetit të Portës së Lartë, thotë se admirali osman Hasan Pasha, më 1779, me një forcë prej më shumë se 30 mijë vetash do të ndërmerrte një mësymje të egër kundër shqiptarëve.

“Hasan Pasha poashtu dha dritën e gjelbër për turqit dhe grekët që të ndërmerrnin çdo lloj veprimi që u pëlqente kundër secilit shqiptar që gjenin: t’i vrisje ata nuk ishte krim. Duke vazhduar marshimin e tij, ai ekzekutoi të gjithë shqiptarët që i dilnin përpara, dogji një manastir ku po fshiheshin të ikurit dhe ofroi pesë sekuinë për secilën kokë shqiptare që sillnin para tij”, shkruan Mazower.

Të njëjtat masa, sipas autorit, u morën edhe nga guvernatori i Selanikut që dëboi më shumë se 4 mijë shqiptarë brenda pesë ditësh.

Por të gjitha këto aksione të egra, sipas studiuesit britanik, nuk sollën paqtimin e shqiptarëve dhe as pajtimin e tyre me sundimin osman.

Mazower vëren se ‘shumica e tyre ishin myslimanë, por feja e tyre e përbashkët nuk e fashiste dot përbuzjen që ndjenin për turqit’.

“Shqiptarët nuk njohin tanimë autoritetin e Zotëriut të Madh’, do të shkruante një vëzhgues i huaj disa vita më vonë, ‘madje edhe pashën e Selanikut e konsideronin si armik të urryer”.

Pasi Bushatllinjtë e Shkodrës mposhtën rëndë ushtrinë osmane, më 1793, shqiptarët e Selanikut nisën të shkaktonin trazira të reja. Kur pasha i qytetit u orvat të arresonte një nxitës trazirash, i njohur si Alizoti, në shtëpinë e tij u gjetën më shumë se 150 burra me armë dhe ushqime.

“Pasha, pasi kishte thirrur të gjithë ‘myslimanët e vërtetë’ për t’i ardhur në ndihmë, përdori edhe topat për t’i vënë zjarrin shtëpisë së Alizotit, por kundërshtari i tij u tërhoq nga qyteti duke marrë pengje për sigurinë e tij, dhe duke kërcënuar se do të kthehej me 2 mijë burra nëse nuk do të lëshohej një firman për faljen e tij”,njofton Matzower.

Një dekadë më vonë do të lëshohej një urdhër perandorak që i detyronte zyrtarët lokalë që të pastronin qytetin ‘nga një numër i panjohur shqiptarësh dhe të tjerësh nga e njëjta kategori që nuk kryejnë farë shërbimi…’.