Raportet e fundit të KE kanë shënuar problemet rreth punës së Prokurorisë Speciale Publike, reformat e parealizuara si kyçe për dalje nga kriza dhe rekomandimin për fillimin e bisedimeve që do të ndikonin në matematikat politike. Europa nga përbërja e ardhshme qeverisëse do të pret strategji konkrete për reformat urgjente me afate të sakta dhe listë të aktiviteteve, transmeton Portalb.

“Nga viti 2015 KE-ja në raportet e saj ka shënuar mungesën e vullnetit politik për reforma. Kjo nuk duhet të na befasojë”, shprehet për Faktor politologja Simonida Kacarska, nga Instituti për politikë europiane.

Sipas saj, bisedimet dhe gjetja e zgjidhjeve bashkërisht janë elemente të rëndësishme në proceset demokratike politike. Ajo thekson se adresimi i fajit te fajtori ndërkombëtarët nuk shkon në të mirë të vendit.

“Retorika e tillë është shqetësuese, sidomos në raste kur shoqëria është e ndarë. Të mos harrojmë se elitat politike mbajnë llogarinë për moszhvillimin e shoqërisë”, ka deklaruar Kacarska.

Maqedonia, siç thotë ajo, një kohë të gjatë është bllokuar në rrugën euroatlantike. Ndryshimet në strukturën politike, sipas Kacarskas, duhet të vijnë nga brenda duke e zhvilluar kapacitetin e partive për demokraci të brendshme dhe ngritjen e debatit./Portalb