Jo rrallëherë të miturit janë kryerës të veprave penale që ndryshe njihet si fenomeni i delinkuentëve. Në këtë kontest ndër vite këto vepra kanë shënuar rritje. Por si duket pandemia me virusin Corona ka ndikuar që këto vepra të shënojnë rënie. Kësisoj, krahasuar me vitin 2019, gjatë vitit 2020 delikuenca tek mosha e re shënon një rënie drastike në rajonin e Pollogut. Gjithsej 43 të rinj kanë kryer vepra të ndryshme kriminale në vitin 2020. Ata kanë kryer vjedhje, sulme fizike, respektivisht kanë ushtruar dhunë dhe nuk u janë përmbajtur rregullave gjatë kohës së pandemisë, njoftojnë nga policia e Tetovës. “Në këto vepra gjithsej kanë qenë të involvuar 69 të mitur, kurse këta vepra janë rrumbullaksuar me 37 padi penale. Në këto vepra që janë kryer nga të miturit, dominojnë vjedhjet e zakonshme dhe vjedhjet e rënda, më pas kanë ushtruar dhunë, këtu nuk mungon dhuna familjare, mospërmbajtja dhe mosrespektimi i rregullave gjatë kohës së pandemisë, keqpërdorim të kartelave bankare, rrezikim të sigurisë në komunikacion dhe vepra tjera”, bëjnë të ditur nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.

Jo rrallë herë, gjatë vitit të kaluar, tek shkeljet e ligjit që karakterizohen si delikuencë tek të miturit paraqiten kryerës të njëjtë të disa veprave të ndryshme penale. “Ajo që është karakteristike tek delikuenca në mesin e të miturve në rajonin më të gjerë të Pollogut është se shpeshherë hasim përsëritës të disa veprave, të cilët edhe në të kaluarën janë sjellë në kundërshtim me ligjin qoftë në mënyrë vetanake apo në bashkëveprim me persona tjerë” thonë nga policia e Tetovës.

Ndryshe, sipas statistikave të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, gjatë vitit 2019 ishin regjistruar 98 vepra që karakterizohen si vepra të delikuencës tek mosha rinore. Nga policia apelojnë që prindërit të kenë më shumë kujdes me fëmijët e tyre, sidomos gjatë kohës kur fëmijët janë në moshë të mitur, sepse pikërisht kjo është mosha më delikate kur edhe ata mund të kryejnë vepra të rënda pa patur kuptim për pasojat. (koha.mk)